Na ndiqni edhe në

Opinione

“Shi me baltë” i Mero Bazes

“Shi me baltë” i Mero Bazes

Nga Roland Qafoku

Vasiliqia
S’ishte Helena. Askush nuk e lakmoi.
Asnjë luftë nuk u bë për të.
Por qindra beteja vetë i komandoi.
Vetëm se në kështjellë priste Atë.

Me 71 poezi, të ndara në 4 tematika dhe të gjitha në libër me 147 faqe, Mero Baze është një befasi me buqetën e poezive të tij në këtë fundviti. Ai që shkruan çdo ditë një editorial; Ai që shpesh e ngjyen penën në acid për politikanë të veçantë; Ai që nuk kursen këdo që për të cilin i mbushet mendja se duhet nxjerrë edhe më i keq se nga sa është; Ai që vëzhgimin e politikës e ka stil jetese dhe jo hobi; Ai që prej 3 dekadash është njëkohësisht faktor dhe aktor në politikë; Ai që ka bërë edhe pirueta, sepse ashtu i është mbushur mendja e tij e lirë; Ai që kur flet dhe sidomos kur shkruan shkakton më shumë polemika se çdo gazetar tjetër në media; Befas, të habit me vargje të thurura me stilin alla Agolli dhe Kadare, duke zbuluar dy cilësi: patriot edhe social. Me vargjet e librit “Shi me baltë” Mero Baze del edhe i dhimbshëm edhe i durueshëm. Del me një lidhje speciale me Peshtanin malor të Tepelenës. Ka marrë muzë me tepri atje në fshatin ku ka lindur. Ka marrë muzë atje e ku është arsimuar, ku është dashuruar, ku ëshë maturuar, ku ka punuar por edhe ku ka ndërtuar autostradën e vetë mediatike të sa e sa polemikave, por edhe ku ka bërë edhe dëme. I ka hedhur në një libër me vargje përmes rregullit me rimën 1-3 dhe 2-4 duke krijuar një amalgamë të fortë mes naivitetin të një adoleshenti dhe një burri të pjekur e të rafinuar, por që ka edhe një farë moshe. Me këtë libër, Mero Baze rezulton të jetë një ndihmë jo e vogël në ngritjen e stekës për poezinë e viteve ‘20-të në shekullin e ri. Për të sjellë si provë, unë kam zgjedhur vetëm katër vargje të poezisë me pesë strofa të titulluar “Vasiliqia”. Kundërshtojeni nëse keni dëshirë. Por, ju politikanë, analistë, gazetarë dhe lexues, mos e doni Mero Bazen për qendrimet e tij në politikë dhe jo vetëm. Por, ama poezitë lexojani! Nuk do zhgënjeheni!/Marrë nga Facebook-u i autorit