

Nga Ermal Peçi
Në imagjinatën time më dukej gati-gati e paimagjinueshme që të ngrihej një sistem i tërë politiko-ekonomik për të goditur Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike. Mozaiku kaotik i bashkuar me propagandën mediatike më krijonte imazhe, të cilat më dukeshin surreale, por ashtu siç e vërteta është relative koha është i vetmi mekanizëm i cili me anë të fakteve tregon realitetin. Koha do të nxjerrë në pah të vërtetën si uji i kristaltë. Çështja Mc Gonigal, e cila po hetohet dhe gjykohet në SHBA, tregoi implikimin e politikës si brenda mazhorancës por dhe brenda opozitës, së bashku me botën ekonomike më të fuqishme të Tiranës për të mos prekur sistemin e oligarkisë politike që është ngritur përgjatë 33 viteve.
Sikur mos të mjaftonte i gjithë ky makinacion, në skenë del dhe emri i një oligarku rus, Oleg Deripaska. Emrin e Oleg Deripaskës e kam hasur për herë të parë në librin e gazetarit Stevwn Lee Myers, “Cari i Ri” Ngritja edhe Sundimi i Vladimir Putinit.
Deripaska përshkruhej si një nga njerëzit më të afërt të Putinit dhe si një nga oligarkët që ishte fuqizuar më shumë gjatë "epokës Putin". Bizneset e Deripaskës shtriheshin në shumë sektorë dhe një prej tyre ishte dhe industria, ku një prej fabrikave të tij për shkak të lojës me taksat dhe bilancet e dyfishta falimentoi, duke lënë mijëra familje, të cilat kishin muaj pa marrë rrogat. Reagimi i qytetarëve ishte aq i fuqishëm sa protesta e tyre paralizoi dhe hyrjen në Moskë duke krijuar një varg prej 20 kilometrash në autostradë si pasojë e protestës efektive që bënë punëtorët e asaj fabrike. Një situatë e nxehtë ku Putin duhej të reagonte dhe njësoj siç veprojnë autokratët, Putin lajmëron konferencë për mediat, e në momentin kur graviteti mediatik fokusohet tek Putin, në tryezë kamera shfaq Deripaskën, i cili shfaqet në një gjendje të rënduar psikologjike. Në prani të milionave njerëzve, të cilët e ndiqnin, Putin detyron Deripaskën të firmosë rrogat që do i kaloheshin menjëherë punëtorëve të fabrikës. Fabrikë, e cila kishte falimentuar. Deripaska pasi firmos ngrihet për t’u larguar por kamerat kapin momentin kur Putin e thërret dhe i kërkon stilolapsin me të cilin kishte firmosur duke i thënë: "asgjë nuk është e jotja”.
Këtë pjesë kamerat u kujdesën mirë për ta kapur e për ta shpërndarë, për të përcjellë mesazhin që jam unë këtu e ju të tjerët jeni nëpunësit e mi dhe jo oligarkë. E bëra të gjithë këtë rezyme për t'ju treguar që i njëjti realitet është dhe në Shqipëri. Oligarkët janë të punësuarit e kësaj klase të vjetër politike, të Berishës, Metës dhe tashmë të Ramës, njeriu, i cili e perfeksionoi këtë sistem nëpërmjet investimeve strategjike, të cilat po shtrohen në sofrën e oligarkisë për t'u ndarë në copa. Kjo klasë oligarkie për dreq ka edhe median në 90 % të rasteve, të cilat krijojnë propagandën, e cila vazhdon të godasë trupin e brishtë të Partisë Demokratike, e cila aktualisht është në proces konsolidimi të strukturave të saj pas skizëm që i dha ish-lideri i saj, Berisha.
Çështja e lobimit të parave ruse prej dy ditësh po bën xhiron mediatike në çdo media, njerëz të rithemelimit dhe gazetarë, të cilët kuvendojnë mbi gjysmë të vërteta për të manipuluar publikun. Me qëllimin e vetëm për të goditur Lulzim Bashën.
Pyetja që lind natyrshëm është: Po partnerët tanë strategjike, SHBA dhe Britani e Madhe nëpërmjet inteligjencës së tyre si i ka shpëtuar ky informacion?
Si është e mundur që Departamenti Amerikan i Shtetit mban kontakte me Lulzim Bashën?
Si ka mundësi që këto media, të cilat kanë dy ditë që e sulmojnë Bashën për financimet ruse nuk e pasqyruan për një moment të vetëm vendimin e Këshillit të Evropës, i cili e caktoi si reporter të konfiskimit të aseteve ruse pas agresionit ndaj Ukrainës.
Si ka mundësi që media shqiptare mbyllë sytë e veshët kur Basha ftohet në takime nga ndërkombëtarët dhe vlerësohet prej tyre?
Si ka mundësi që askush nuk flet për vettingun në politik të propozuar nga Basha?
Këto pyetje duhen ngritur edhe duhen analizuar se si ka mundësi ngrihet një sistem i gjithi për të goditur një individ? Prandaj të dashur qytetar lobimet ruse janë një histori aq e vjetër sa është e pabesueshme që Basha të jetë i implikuar në këtë skemë, por ashtu siç është çdo sistem i kapur, ky është shërbimi i fundit i oligarkisë për të dëmtuar Bashën, për klasën e mamuthëve politikë.
Ndërkohë pushteti i thashetheme rindizet me qëllim për të favorizuar pushtetin dhe opozitën e plakur pa moral, e cila ka zgjedhur të bëj zhurmë edhe të kacavirret mbi kangjella. Nuk është rastësi ndezja e këtyre akuzave dhe zhvillime i gjithë këtyre ngjarjeve të cilat po ndodhin në momentin kur SPAK sapo zhvilloj një vizitë zyrtare në Washington dhe pritet të hyjë në lojë me goditje, të cilat nuk do të kursejnë as oligarkë e as politikanë, të cilët po t'i zbërthesh përfaqësojnë klasën e vjetër e të kalbur politike./dritare.net

















