
Nga Mero Baze
Ka shumë debate mbi gjuhën e ashpër të përgjigjes së përbashkët të tre vendeve të Ballkanit perëndimor ndaj dështimit të zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan, por nuk ka asnjë mëdyshje se dhe arsyet e dështimit kanë të bëjnë me faktin që Bashkimi Evropian duket që nuk është gati të pranoj Ballkanin.
Shpresa e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkan, tani është konvertuar në një konflikt të dëshpëruar mes Ballkanit dhe BE, e cila në thelb është një konflikt i përballjes mes identitetit të Evropës dhe identitetit të Ballkanit.
Kjo duket qartë në tre nga dështimet e Bashkimit Evropian në Ballkan.
E para pafuqia për të zgjidhur një konflikt të radhës mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që erdhi pas një telendisje kombëtare të Maqedonisë së Veriut me Greqinë, e cila e detyroi të ndërronte emrin e shtetit, të rrugëve, të aeroportit dhe tekstet e historisë. Kur Bullgaria e pa se kjo funksionoi, natyrisht që zuri radhën për poshtërimin e radhës.
E dyta është qasja raciste e Evropës për 2 milionë shqiptarët e Kosovës, duke u mohuar liberalizmin e vizave. Bashkimi Evropian ka liberalizuar vizat dhe për Kolumbinë apo Ukrainën, por nuk e bën atë për 2 milion qytetarë të Kosovës, dhe kjo me çdo manual të interpretosh është thjesht shfaqja e racizmit ndaj një popullsie që ka mbetur në dorë të tekave raciste të politikës elektorale evropiane. Është paradoks i madh që Perëndim i cili çliroi Kosovën duke bombarduar Serbinë për tu dhënë të drejta qytetareve të saj, tani izolon qytetarët e vendit për të lirinë e të cilit u investua.
Dështimi i tret është vet përgjigja evropiane ndaj konfliktit në Ukrainë. Mënyra e përciptë se si Bashkimi Evropian bën pranimin e kandidaturës së Ukrainës dhe Moldavisë si vende kandidate për anëtare, në të njëjtën ditë kur dëshmon se nuk zgjidh dot një krizë bilaterale në Ballkan, e kthen në humor të zi, pranimin e aplikimit të tyre, duke u treguar se ata më shumë se sa prespektiva e antarësimit i pret ferri i konflikteve bilaterale brenda BE, apo në rastin më të keq sjellje raciste ai ajo ndaj izolimit të qytetarëve të Kosovës.
E thëne shkurt Bashkimi Evropian nuk është gati as për Ballkanin perëndimor dhe as për një përgjigje evropiane ndaj konfliktit në Ukrainë. Më shumë se sa problemet e Ballkanit që janë të shumta, qëndrimet e sotme dëshmojnë dobësinë dhe konfuzionin e Bashkimit Evropian, i cili nuk ka fuqi të pranoj realisht Ballkanin brenda vetes.
Procesi tregoi se kriteret formale teknike që u janë vënë vendeve të Ballkanit nuk janë kriteri përfundimtar për tu pranuar. Praktikisht Evropa po reziston për të mbrojtur identitetin e saj historik, përball hapjes, dhe nuk është gati të përballet me identitetin ballkanik brenda saj.
Nuk është e vërtet që çdo shtet i cili angazhohet të respektoj vlerat e Bashkimit Evropian mund të bëhet anëtar i saj. Duket se më e rëndësishme është ajo që nuk është shkruar në konventën e zgjerimit, ku çdo shtet anëtar duhet të pranoj identitetin ballkanik të kandidatëve. Kjo duket se është thelbi i pengesës për zgjerim.
Hezitimi evropian për të pranuar Ballkanin, ka nxjerrë pastaj në pah dhe gjuhën e hidhur të liderëve të Ballkanit ndaj Evropës, e cila duket se justifikon hezitimin e tyre për ti pasur këto vende anëtare. Dhe kështu procesi shkon në drejtim të paditur.
Në këto kushte, Evropa, ose duhet të bëhej protektore e Ballkanit duke e marrë atë nën sqetull dhe duke guxuar të shtyhet deri në Ukrainë, duke e shndërruar konceptin gjeografik të Evropës në koncept politik, ose duhet të ruaj identitetin e saj historik dhe tua bëj të qartë Ballkanit por dhe Ukrainës, se për ta do ketë një partneritet me Evropën, por jo një anëtarësim në të.
Përgjigja më e mirë ndaj konfliktit në Ukrainë do të ishte një Evropë e guximshme që i del zot konceptit të saj politikë nga Parisi në Ukrainë, por duket se kjo dështoi. Alternativa tjetër mbetet që Ballkani por dhe Ukraina të trajtohen si partnerë të Evropës. Si të tillë mos prisni që ata të zhvillojnë doemos vlera evropiane dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Anëtarësia në Bashkimin Evropian është një ideal kombëtar i shumë prej këtyre vendeve, dhe ky ideal, ishte një motiv i madh që të ishin dhe vende demokratike dhe properëndimore. Në mungesë të këtij ideali, paqëndrueshmëria demokratike, linjat pro ruse dhe pse jo autokracitë, e kanë sot ditë feste./gazetatema

















