
Përse shqiptarëve u ka bërë përshtypje, Ilir Meta i dehur?
Dritare.net
Nga Mero Baze
Të pish është një ves njerëzor dhe nuk është arsye për denigrim publik, pëvec rasteve kur bëhesh i bezdisëshëm. Kjo dhe kur je politikan. Ka plot të tillë dhe tek ne, që e tepërojnë me pijen, por e kanë si identitet simpatik. Dritero Agolli ishte simbol i poltikanit dhe shkrimtarit që nuk e nënkputoje dot pa rakinë. Dashamir Shehin për shembul njerëzit më shumë e kanë simpati që pi, se sa që është politikan i mirë, kur është esëll.
Por shfaqja e Ilir Metës i dehur te “Opinioni”, nuk bëri përshtypje thjeshtë se ai ishte tap, sic thuhet në këto raste, por se ai ngjante si njeri i dehur nga dëshpërimi.
I ngjante pak a shumë atyre njerzve që pijnë një ose dy herë në jetë, ose kur kanë drama shpirtërore, ose halle të mëdha që nuk i përballojnë dot.
Për këtë arsye debati rreth dehjes së Ilir Metës, nuk kishte të bënte me rakinë , verën apo kokainën, që mund të kishte marrë para emisionit, por arsyet që ai ndjehet i dëshpëruar dhe befas shfaqet i pirë para publikut.
Kjo është shumë intriguese për publikun.
Në gjithë sjelljet e tij të kohëve të fundit, ai udhëhiqet nga makthi dhe pasiguria se dicka kundër tij po përgatitet. Natyrisht të akuzuarin e madh ka Edi Ramën. Për atë dyshon që bashkëpunoi me Bashën për Kodin, për atë dyshon që po e përgjon me kë takohet rrethinave të Durrësit, për atë dyshon që po flet më të huajt për problemet e tij me drejtësinë, për atë dyshon se do të zhduk LSI dhe të bëj koalicion me PD, e gjithfarë skenari tjetër.
Gjithë këto makthe kanë pasojat e veta. Nëse e vëreni herë shfaqet në delire patriotike, duke tentuar të përkujtojë cdo hero apo dëshmor, pamvarësisht se ja bën lëmsh biografinë, herë shfaqet në delir si “të fortët”, duke kërcënuar se do tmerroj filanin dhe filanin, herë shfaqet i dorëzuar dhe i pirë para publikut.
Anormaliteti i Ilir Metës buron nga pasiguria. Ai është i pasigurt nga PD dhe vecanërisht Lulzim Basha si një partner i besueshëm në koalicion. Ai dyshon dhe nëse Lulzim Basha i thotë “eja futemi në një listë” dhe nëse i thotë “bë listë më vete”.
Dyshimi se atë duan ta defaktorizojnë në këto zgjedhje është konstant.
Ai është i pasigurt nga ana tjetër tek sprova eletorale më vete, pasi imazhi i LSI dhe i tij, janë kthyer në beze të kuqe që ngjallin tërbim popullor. Dhe ai e ndjen këtë.
Por mbi të gjitha Ilir Meta ndjehet i pasigurt se ende askush nuk po i jep një pazar. Rama jo e jo, por as Basha. Sot kur Ilir Meta është në kulmin e shkatërrimit nervor të tij, kur poston cdo pes minuta nga një të sharë nga nëna, për Kryeministrin dhe këdo i del para, sot kur gjithë shqiptarët diskutojnë me humor shfaqjet e tij si i pirë në ekran, në PD debati më i madh është nëse do ketë dhe një shans të dytë Klevis Balliu apo do ik në LSI.
Biles as për Jamarbër Malltezin që nuk e ka vënë Lul Basha në listë nuk ka debat.
Kaq debat ka në PD, ndërkohë që Ilir Meta ngjan sikur po i merret fryma nga betejat, orë pas ore me Edi Ramën, që argëtohet me të.
Eshtë e gjitha kjo panoramë, që i ka bërë njerëzit të vëmendshëm ndaj shafqjes së tij publike, si i dehur tapë, pasi e shikojnë atë, jo si një zakon të Ilir Metës për të pirë, por si një degradim të tij duke përfunduar i pirë, ngaqë ndjehet i dështuar dhe i pasigurt.
Dhe kjo kuptohet më qart, sot edhe pasi i ka dal pija, kur tha se e donte Margaritën (Tutulanin) më shumë se Monikën. Puna është se dhe kjo deklaratë dashurie i ka ikur kot, pasi nuk e krahasojmë dot, ngaqë nuk dimë sa e do Monikën./gazetatema

















