Na ndiqni edhe në

Opinione

Përse i ka tradhtuar Ilir Meta “opozitarët”

Përse i ka tradhtuar Ilir Meta “opozitarët”

Nga Mero Baze

Ilir Meta duket se ka përmbysur për një javë, modelin që opozita ka në kokë për presidentin. Për vite të tëra opozita e Berishës kultivoi modelin e një presidenti që duhet të jetë refuzues ndaj Qeverisë për çdo gjë. Këtë model e vulgarizoi me Bujar Nishanin, duke e ngritur në institucion banalitetin.

Por pas kthesës opozitare të Ilir Metës më 2018, kjo ndodhi dhe me Ilir Metën.

Ajo që është mësuar opozita të dëgjojë nga presidenti, është mos dekretimi i ligjeve, kthimi i çdo iniciative ligjvënese të Qeverisë dhe krijimi i pothuajse gjendjes së luftës mes Qeverisë dhe presidentit.

Për hir të së vërtetës, prej vitit 2018, dhe sidomos pas marrëzisë së bojkotit të zgjedhjeve dhe Parlamentit, Ilir Meta ka qenë krye-opozitari institucional dhe i vetëm i Shqipërisë. Dhe vazhdon të jetë.

Opozita jonë parazitare ka pas tek ai të vetmin mekanizëm për të prodhuar debat politik, here- herë duke e bërë qesharak, ndonjëherë dhe duke i lavdëruar skenat e tij anormale, jo vetëm ligjore, por dhe psiqike.

Me pak fjalë, opozitës nuk i është bërë vonë se si e ka katandisur figurën e presidentit, Ilir Meta. Asaj, si opozitë parazite që është, i ka interesuar që ai të punojë për ta, 24 orë.

Dhe ai e ka bërë.

Rasti për të cilin po bëjnë si të shqetësuar, nuk ka ndonjë ndryshim nga rastet kur Ilir Meta ka bërë sikur ka firmosur ndonjë ligj.

Ai thjesht ka në dorë ta kthejë një ligj në Parlament dhe pas dy javësh, ligji të kalojë përsëri.

Këtë radhë nuk e ka bërë, se ai beson tek masat shtrënguese në kushte pandemie.

Ndryshe nga disa segmente të opozitës, ai dhe angazhimin në këtë periudhë, e ka pasur normal. Është sjellë si një qytetar që ka dashur të shpëtojë prej COVID-19, dhe jo si një opozitar që do të shpëtojë nga Edi Rama.

Por kjo nuk ndryshon asgjë nga pozicioni i tij opozitar. Dhe nëse nuk do ta firmoste ai, do kalonte sërish në Parlament.

Lehtësinë për këtë, Qeverisë dhe Edi Ramës nuk ja ka krijuar Ilir Meta, por Lulzim Basha e Sali Berisha, që kanë bojkotuar Parlamentin.

Po të ishin ata në Parlament, Edi Rama nuk do t’i kishte 84 vota për ndryshime të Kodit Penla. Është kaq e thjeshtë që faji për ndryshimet është i Lulzim Bashës e Sali Berishës, sa vetëm idiotët nuk e kuptojnë.

Ilir Meta në këtë rast është duke menaxhuar marrëzinë e tyre opozitare, dhe jo raportet me Edi Ramën. Me atë si ka pasur kurrë në rregull.

Nuk e kuptoj përse i ka tradhtuar Ilir Meta këta opozitarët e shqetësuar. A janë këta që bojkotuan Kuvendin? A janë këta që bojkotuan zgjedhjet dhe e përdorën Ilir Metën si kamikaz t’i shtynte dhe pastaj nuk dolën as nga shtëpia më 13 tetor? A janë këta që e mbushën Parlamentin me ata që shikojmë e “shijojmë” çdo ditë?

Çfarë ka në dorë Ilir Meta të rregullojë nga marrëzitë e tyre, përveçse të bëjë atë luftën donkishoteske si krye-opozitar institucional, që e ka bërë dhe ka shkatërruar institucionin e presidentit?

Tani këta në vend të kujtohen se ç’marrëzi kanë bërë dhe të reflektojnë, bëjnë sikur gjetën një alibi të re për dështimin e kësaj jave, dhe ai është Ilir Meta.

Larg qoftë të bojkotojnë dhe institucionin e fundit opozitar që u ka mbetur, pas gjysmë karrikes së Voltanës.

Mos u ngutni, se do t’u duhet prapë javën që vjen, muajin që vjen, vitin që vjen. Nuk keni tjetër, se kështu e keni katandisur opozitën. Mund të ishit vetë aty në Parlament e ta ndalnit ndryshimin e Kodit.

Tani po shkove pas brumbullit, në pirgun e plehrave do përfundosh./GazetaTema