Na ndiqni edhe në

Opinione

Natasha Lako: Covid do mbarojë, një ditë do të vijë Festa e Përqafimit!

Natasha Lako: Covid do mbarojë, një ditë do të vijë

Nga Natasha Lako

Nuk jam unë që po kujtoj diktaturën. As po ma kujton Covid-19. Është ky shpengim i tepruar nga rreziku i tij që duket sikur nuk e vëmë re, njësoj si bënim në diktaturë kur dënoheshin të tjerë.

Nuk mund të them se është i plotë krahasimi, po ja që m'u kujtuan ato shëtitjet nëpër rrugë, atëherë dhe sot nën ndjesinë se nuk mund të vdesin të gjithë për së gjalli.

Sepse kushedi sa herë merrnin kuptim të plotë ato vargjet e këngës ,'duro zemër duro, si duron mali borën". Ishte një këngë dashurie, por kënga e dashurisë të lejon ta përdorësh ku te duash. Edhe në luftë. Vetëm në dashuri nuk mund të kujtosh këngë dhe as monumente me patllake. Dhe duket se dashuria këtë vit mbajti plot guxim një verë të tërë në këmbë. Kështu kaluam pothuaj shtatë muaj, për të hyrë në një shtatë muaj tjetër. Me shprese që të arrijë vaksina deri në Shqipëri, të paktën për ata që i besojnë shkencës dhe mirëkuptimeve që kapërcejnë kufijtë. Në mars, njerëzit nuk i ndërprisnin dot të puthurat e përqafimet si një pamundësi për të frenuar një shprehi qindravjeçare dhe një inerci te pandalshme. Dhe shkrova për këtë. Më vonë, në mënyrë gati naive fola për shpresën që mban njeriun në këmbë, gjë që ma përforconte edhe lajmi i përdorimit të plazmës së gjakut të atyre që e kishin kaluar kovidin. Gjithë shpresën për mirëorganizim institucional e lashë në dorën e shkencëtarëve. E ktheva përsëri te punonjësit e shëndetësisë, si e kam edhe sot.

Po kur shoh këtë shpengim deri në moskokëçarje, mendoj se sa shumë kanë në dorë vetë njerëzit, për të mos humbur qoftë një njeri më tepër.

E di që jeta nuk pret.

Duroni zemra duroni, si duron mali borën, deri sa të vijë një vaksine. Duket si receta më e thjeshtë.

Por edhe më e vështira!

Një aktor me jetë aktive si Antoni Hopkins , 82-vjeçar mund të japë një përgjigje të ndarë përgjysmë, si dyzimi i shqiptarëve. Në jetën reale pranon se gati po çmendet nga izolimi në shtëpi për me më shumë se shtatë muaj. Në jetën artistike i ka mbetur edhe batuta e një filmi ku luan rolin e një babai stoik që ka humbur një nga djemtë e tij në luftë: “Kush shkon në luftë edhe mund të vritet.”

Dhe të gjithë shqiptarët më duken si të dorëzuar pa kushte. Më ndodh të bëj një udhëtim këtë fund jave nga Pogradeci në Fier. Askund distancim fizik, me përjashtim në institucione ,ku njerëzit nuk kanë se si të mos i binden disiplinës së vendosur. Atje ku janë të lirë, asgjë. Asnjë maskë punonjësit e benzinatave të cilat i kane njerëzit më të fuqishëm të ekonomisë shqiptare, të parët që duan që puna t'u shkojë lumë. Ashtu si duan të gjithë më pas.

Por kjo është një betejë që askush nuk shkon me vullnetin e vet.

Atëherë pyes veten, përse të paktën nëpër rrugë shumica e njerëzve nuk mbajnë maska. Dhe a mundet që kjo tërheqje taktike mbrojtëse, në të cilën ndodhet gjithë njerëzimi, të zëvendësohet në një vend mikroskopik të saj në dorëzimin ndaj fatit.

Duket sikur vendimi është po aq kolektiv . Ndoshta si instinkt mbrojtës dhe forcim imuniteti nëpërmjet një humori të mirë.

Në kafenë gjysmë të mbyllura asnjë maskë. Pa le në stacione dhe ndalesa, ku shfaqen pika shërbimi. Të mendosh se jemi para votimeve dhe druhemi t'i lëndojmë njerëzit me respektim të masave mbrojtëse, është shume shpejt. Mjafton të jenë me maska policët e patrullave, të vetmit që ''rrezikojnë''me sa duket ose mbrojnë publikisht. Dhe vera që nuk ka mbaruar të lë ende përshtypjen e një feste të madhe, pavarësisht nga masat dhe hapja e sigurt sa mundet e shkollave. Por individualisht, jeta duket qyl. Atëherë kam të drejtë të mendoj sipas rregullit të treshit, se nuk respektohet as tjetër gjë. Ndoshta as burri as gruaja brenda familjes. Kanë plasur aktivitetet kulturore, të paktën në zona të hapura. Dhe bëjmë përsëri sikur nuk do të vijë dimri.

Sipas prognozës më të mirë, duhen edhe shtatë muaj të tjerë, që të bëhet e qartë edhe ecuria e vaksinimit.

Dhe në mes të kësaj përthyerjeje kohore, vras mendjen të pyes.

Sa njerëz mund të shpëtohen prej vdekjes se sigurt, po të jemi më të kujdesshëm për të mbajtur të paktën distancën e kërkuar që pothuajse nuk e respekton njeri. Katër apo pesë njerëz do të mund t’i shpëtojnë rrezikut, apo qoftë një njeri i vetëm? Dhe megjithëse stili i pyetjeve tingëllon patetik, përsëri pyes.

Përse nuk arrijmë të bëhemi me racionale për të rralluar me vullnetin tone të lire ritmin e infektimit , njësoj si në periudhën kur e kishim të imponuar kaq kolektivisht. Dhe perse i përgjigjemi njëlloj kaq kolektivisht me të njëjtën shkujdesje të ngjashme një pandemie, kur ajo vete jep një përgjigje individuale kontaminimi nga një i sëmurë në tjetër .

Periudha më e vështirë kaloi, madje duke mbrojtur edhe një vere me guximin e normalitetit. U kapërcye edhe faza e parë ekonomike, ne një vend ku prioritet janë përveç ndërtimeve, shërbimet. Maratona mund të jetë më e gjatë, se sa ajo që kemi lënë pas, përfshirë paralajmërimet për valët më të forta të saj, ose parashikimet që nuk e shmangin të gjithë vitin 2021.

Si qytetarë, kemi në dorë vetëm uljen sado të paktë të infektimeve masive dhe marrëdhënie sa më racionale. Nuk kushton gjë, që të përdoret maska. Dhe optimizmi qe shëron ankthin.

Por ndoshta në vite që do të vijnë ndonjë fëmije që sot është i porsalindur,do të kujtohet për të pyetur. Po ju pse nuk e përdorët atë maskën e vogël si kudo tjetër në këtë botë.

Ashtu si na pyesin të rinjtë e sotëm pakuptueshëm për ato gjëra që nuk i bënim dot në diktaturë. Si askund tjetër të paktën në Europë.

Duroni zemra duroni, si duron mali me borë. Pini një kafe me tepër në shtëpi, sado që nuk ka më bukur se pranë njeri-tjetrit. Dhe jam e sigurt se do të vijë edhe Festa e Përqafimit./dritare.net