Na ndiqni edhe në

Opinione

Mos u bini borive të alarmit dhe të fitores njëkohësisht!

Mos u bini borive të alarmit dhe të fitores njëkohësisht!

Nga Mero Baze

Ka nisur një fushatë e lodhshme paralajmërimesh nga opozita, që po përpiqet gjashtë muaj para zgjedhjeve, të krijojë klimën e pasigurisë ndaj zgjedhjeve, duke e ilustruar atë, me çfarë t’i dalë përpara.

Dëgjon fjala vjen një njoftim shtypi për verifikimin e adresave, del në konferencë shtypi e thotë, “po na vjedhin me adresat”.

Pastaj dëgjon për rregjistrimet, del e thotë “po na vjedhin me rregjistrime”.

Pastaj dëgjon që Qeveria po bën tendera, del e thotë po u jep lekë oligarkëve të na blejnë votat.

Dëgjojnë që do shtohen 1000 mësues për Covid-in, dalin e paralajmërojnë se do jenë të PS dhe do vjedhin vota.

Dhe ky fiksim vazhdon deri tek detajet për hapjen e listave, herësin e Ramës etj.

Një nga këto paralajmërime e detyroi ambasadoren amerikane të shkonte në Ministrinë e Brendshme, ta verifikonte vetë.

Por do vijë një ditë, që duke shpikur përditë arsye të kota, me qëllim krijimin e pasigurisë për zgjedhjet, nuk do besohet as ndonjë arsye e vërtetë që mund të prodhohet rrugës.

Kjo nuk është hera e parë që ndodh në Shqipëri. Sidomos Partia Demokratike, delegjitimimin e zgjedhjeve e ka traditë të saj.

Problemi është se këtë here, ndryshe nga herët e tjera, Partia Demokratike ka të njëjtën vendosmëri për të paralajmëruar vjedhjen e zgjedhjeve, me paralajmërimin e saj për fitoren e zgjedhjeve.

D.m.th ti dëgjon çdo ditë, ndonjë nga ata “papagajtë” e PD, që, ose do thotë “fitoren e kemi të sigurtë, Edi Rama s’di ku do futet më 25 prill”, Monika shton se “do t’i shkulë dhe t…”, dhe pastaj të njëjtët thonë se “Edi Rama do na vjedhë votat, po përgatitet për vjedhje”, po bën këtë e atë.

Kjo ndarje kaq e fortë mes dy opsioneve, që përjashtojnë njëra- tjetrën, vjen në fakt nga pasiguria që kanë për fitoren.

Dhe ndërkohë që kanë vendosur të bëjnë fushatë optimiste dhe të flasin për fitore, mesa duket i kap ai makthi i mundshëm i humbjes, dhe qëtë jenë brenda, i fusin dhe një paralajmërim për manipulime.

Nuk kanë faj, se po shkon viti i katërt që s’kanë bërë zgjedhje dhe kanë emocionet e garës.

Por nuk mundet që me të njëjtën “bori” që mobilizon ushtarët për luftë, të fillosh t’u biesh dhe tingujve “funebër” të humbjes.

Duhet ta ndajnë mendjen si do ta bëjnë fushatën, si një fushatë të sigurtë, që e kanë fitoren në xhep, apo si një fushatë që Edi Rama do t’u fusë duart në xhep e t’u vjedhë fitoren./tema.net