Na ndiqni edhe në

Opinione

Listat e hapura, mbreti doli lakuriq

Listat e hapura, mbreti doli lakuriq

Nga Skënder Minxhozi

Zakonisht është përfolur Edi Rama për daljet lakuriq në publik, vite të shkuara. Ja që paska dhe të tjerë që mbeten zbuluar, madje edhe pa hequr asnjë rrobë nga trupi. Lulzim Basha, lideri politik që kurrë nuk hoqi një valle të vetme, por vetëm i shkoi pas kundërshtarit, nuk arriti të shprehë sot as formalisht përkrahje për kërkesën më instituese, më të artikuluar dhe më të pranishme gjatë muajve të fundit – atë të hapjes së listave të kandidatëve për parlamentin e ardhshëm. Ndërkohë që Rama hoqi dilemat e fundit, duke u pozicionuar më në fund në favor të aktit më emancipues që lidhet me zgjedhjet dhe produktin e tyre, Basha nuk arriti të thotë diçka më të mirë për listat, sesa “ta vendosë populli me referendum”.

Është krijuar rregullisht këto vite një ndjesi e çuditshme boshllëku dhe heshtjeje në skenën politike, sa herë që flitej për hapjen e listave të kandidatëve. Të gjithë krerët e partive të mëdha i iknin deklaratave të hapura për temën në fjalë, duke lënë të kuptohej se preferonin të vazhdonin sistemin e shëmtuar të emërimit të deputetëve, e jo të garimit të hapur brenda të njëjtës listë partiake.

Edi Rama e davariti pjesën e tij të mjegullës. Lulzim Basha i vajti nga pas, duke mohuar e hedhur poshtë. Siç ka ndodhur rregullisht pas vitit 2013, kryetari i opozitës as ka parashikuar, as ka menduar, as ka propozuar. Thjesht ka bërë obstruksionin e tezave të kundërshtarit, si një politikan kursant që mban shënime në cep të tryezës.

Në shtatë vite Rama ka luajtur poker me të, herë me letra të hapura, e herë poshtë tryezës, por s’kemi parë thuajse asnjëherë që Basha të heqë vallen dhe të kryesojë procesin politik me ide dhe propozime që do ta fusnin në ngërç e në vështirësi palën tjetër. Ka ditur të ngrejë çadra, t’i mbyllë ato brenda pak orësh, të organizojë protesta të dhunshme dhe t’i japë fund edhe atyre po me dështim, ka ditur të marrë gjysmën e qeverisë në tavolinë nga Rama, por s’ka kuptuar asgjë nga mënyra sesi ka umbur më pas. Kemi një kryetar opozite që vetëm i mëshon zërit dhe epiteteve ndaj kundërshtarit të tij në konferenca shtypi, por që nuk e ka fare idenë sesi luftohet dhe fitohet.

Lulzim Basha nuk mund të kapet pas kriticizmit të listave të hapura, me akuza që nuk lidhen me to, por me gjithfarë aspektesh teknike të reformës zgjedhore. Ai duhet t’i thotë shqiptarëve sot, nëse është ose jo për këtë element thelbësisht emancipues dhe parimisht përmbysës të statu quo-së që i ka marrë frymën sistemit tonë politik.

Hapja e listave ishte dhe mbetet hapi i madh, e reja më e spikatur e një reforme zgjedhore, në stadin aktual të procesit politik në Shqipëri. Hapja e kësaj dere kontribuon për thyerjen e mbretërimit të kryetarëve të partive, me listat e tyre të parafabrikuara.

Rama e luajti bllofin, Basha mbeti prapa dhe nuk diti ta lexojë dëshirën popullore për të thyer diktatin e listave hermetike dhe të palëvizshme. I ndjekur nga pas nga hija e Jozefinës, Majlindës dhe Arben Imamit, Lulzim Basha ndjehet komod me listat e mbyllura që i bën vetë sipas qejfit, pa mbajtur asnjë përgjegjësi për humbjet që koleksionon. Mesa duket një të tillë e ka parashikuar qysh tani, sepse sot na tha edhe alibinë: humba se Rama më sabotoi reformën dhe prishi marrëveshjen!/JavaNews