Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Ky vit turistik s’duhet të jetë vetëm i shqiptarëve, por edhe gjermanëve dhe austriakëve!

Ky vit turistik s’duhet të jetë vetëm i shqiptarëve,

Nga Vasil Merko

Ministri i jashtëm gjerman, zoti Heiko Maas, pati sot konsultime me ministrat homologë nga 10 vendet që përbëjnë destinacionet turistike kryesore për shtetasit gjermanë.

Dëmi i madh financiar që do të shkaktohej nga mungesa e lëvizjes, do të kishte domethënien e shkatërrimit të plotë për operatorët turistikë gjermanë, për kompanitë e fluturimeve dhe për vendet anëtare të BE-së që arrijnë të qëndrojnë në këmbë vetëm falë industrisë të turizmit. Kështu që po hartohen plane për një verë pushimesh në kushte jo siç jemi mësuar.

Janë parashikuar masa mbrojtëse për turistët dhe disa prej tyre kanë të bëjnë me distancimin në plazh, si dhe me servirjen e mëngjesit në tryezë dhe jo në bufe. Ndërkohë për dhomat e hotelit dhe shmangien e kontakteve, po mendohet që shtrojet e shtretërve të mos ndërrohen përditë.

Duke u hedhur një sy dhe duke folur me disa prej operatorëve turistikë gjermanë, Shqipëria është e disponueshme për paketa udhëtimi që prej muajit korrik, pasi dihet se deri më 15 qershor kufijtë e Schengenit janë të mbyllur.

Kompani që ofrojnë paketa edhe më ekonomike (si Lidl Reise) i kanë shtyrë udhëtimet e mundshme me Shqipërinë për muajin tetor.

Në Shqipëri, zoti kryeministër, foli që ky vit turistik, do të jetë viti i shqiptarëve. Duke marrë parasysh, me dashamirësi, se i druhet një përhapjeje të zgjeruar të virusit nga turistët e vendeve me numër infektimesh të lartë, a nuk do të ishte e udhës që vendi të ishte i përgatitur edhe për një skenar më pozitiv? Nuk ka kuptim që të vijnë për turizëm nëpërmjet kufijve tokësorë, shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë të Veriut që jetojnë në perëndim dhe kthehen tek të afërmit, dhe ta kemi mbyllur derën për shtetasit gjermanë, austriakë, zviceranë etj...

Ndërkohë, nëse gjatë verës lejohet që të vijnë në atdhe shqiptarët e Greqisë dhe ata të Italisë (vend ky i fundit, i goditur rëndë nga Covid-19 ), nuk ka kuptim t'u mbyllim derën turistëve të tjerë.

A po vepron Ministria e Turizmit dhe Mjedisit gjatë kësaj periudhe për të gjetur alternativa? A po hartohen plane për të tërhequr turistë në vendin e gjithsej 31 të vdekurve prej Covid-19 dhe 850 të infektuarve? Do të mjaftonte rrezikshmëria e ulët dhe bukuria e pakursyer që të fal Shqipëria, që shumë gjermanë të njiheshin qoftë edhe në këto kushte me vendin tonë. A ka konsultime, ka qoftë edhe përpjekje për të paraqitur variante nga Shqipëria? A është folur me epidemiologët shqiptarë rreth kësaj mundësie? Nuk ka rëndësi nëse merren apo jo parasysh prej qeverive të huaja...

Po ndjek njeri planet dhe masat e vendeve të tjera (që po ashtu kanë frikë prej një ripërhapje të virusit)?

Është e sigurt, që evropianët e prekur nga frika, shpenzimet dhe pasiguria ekonomike, nuk do derdhen në masë, në brigjet e jugut të kontinentit. Shkurtimet e vendeve të punës në Evropën qendrore dhe veriore, kanë nisur tashmë. Çmimet dhe paketat e udhëtimeve që do të mbyllen në momentin e fundit do ta rrisin koston e pushimeve padyshim. Por do të ketë dhe nga ata që do të guxojnë të udhëtojnë dhe pushojnë. Pjesë në tortën e tyre, duhet të ketë dhe Shqipëria.

Çështja është të mos mbetemi një dritare e mbyllur. Vendi ynë është përfolur shpesh edhe prej BE-së si një vend në pritje të refugjatëve, nëse do të kishte një plan për shpërndarjen e tyre.

Do të ishte e mirëpritur të llogaritshim edhe për turizmin derisa udhët tona janë të destinuara për t'u bashkuar.../dritare.net