
Kur të festoni 8 Marsin, kujtoni Bedrien, Sibelën, Almën, Albën, Eleonorën...
Dritare.net
Nga Xhensil Shkëmbi
Bedrie Loka — Janar 2024, vetëflijohet në Sukth të Durrësit. Dhuna dhe denigrimi nga bashkëshorti e çuan drejt vetëvrasjes. Ai u dënua me 10 vite burg.
Sibela Abedini — 11 shkurt 2024, 27 vjeç, hidhet nga kati i katërt i banesës në Kamëz. Ajo u shantazhua me foto në rrjete sociale, duke u shtyrë drejt fundit tragjik.
Ike Sokoli — 11 shkurt 2024, 75 vjeç, dhunohet për vdekje nga i biri 35-vjeçar në Rrogozhinë.
Kleoniqi Ilia — 2 maj 2024, 88 vjeç, rrihet për vdekje nga bashkëfshatari në Dropull.
Alma Arrazi — 4 maj 2024, Shkodër, mbytet në lumin Bunë bashkë me tre fëmijët. Bashkëshorti u arrestua për shtyrje në vetëvrasje.
Gjylije Dani — 13 maj 2024, 88 vjeç, theret me thikë nga djali i saj në Lezhë.
Enkelejda Danaj — 16 maj 2024, 40 vjeç, masakrohet me thikë nga bashkëshorti në mes të Athinës.
Shano Islami — 6 gusht 2024, 66 vjeç, vritet nga bashkëshorti në Konispol.
Saragih Indah Lilis Sartika — 19 gusht 2024, gruaja nga Indonezia vritet nga bashkëshorti në Tiranë.
Alba Cenko — 29 nëntor 2024, masakrohet me çekiç nga bashkëshorti në Greqi, trupi i saj qëndroi i fshehur për një javë në papafingo.
Eleonora Toci — 9 tetor 2024, 24 vjeç, vritet në sy të fëmijëve nga bashkëshorti në Itali.
Anila Ndoka — 18 shkurt 2025, qëllohet me armë nga bashkëjetuesi dhe ndërron jetë pas 6 ditësh në spital.
Ky 8 Mars është për to. Për gratë që nuk e jetojnë më këtë ditë, sepse një dorë e pamëshirshme ua preu jetën. Le të mos i harrojmë. Le të mos heshtim. Për çdo Bedrie, Sibela, Anila e Eleonora — për çdo grua që nuk arriti të shpëtojë nga dhuna.
Gëzuar 8 Marsin me dhimbje, por edhe me shpresë për një të ardhme ku gratë do të jetojnë të lira e gratë do dalin ne krah të grave, jo duke kërcyer me atë striptistin në Tiranë, por duke bërtitur për të drejtat e tyre./dritare.net

















