Nga Mero Baze
Një nga objektivat madhore të Revolucionit të Berishës u arrit. Ideja që pushteti të përmbyset duke përmbysur karriget nuk duket ide e keqe. Është e thjesht pa kosto të mëdha, përveç ndonjë të share nën dhëmbë të deputetëve që mbeten në këmbë.
Fotografia është shumë e bukur. Gjithë pushteti mbetet pa karrige në këmbë, ndërsa gjithë opozita është e ulur në karriget e pushtetit.
Nuk pati ndonjë kosto të madhe. Hynë pak më shpejt në sallë u përmbysën karriget, lanë roje disa femra që të mos I prekin me dorë deputetët e PS se janë namuzlinjë dhe ja ku u përmbys pushteti.
Gjithë ato lodhje të pafundme protesta kërcënime fushata elektorale pare të harxhuara, shpallje “non grata” e gjithçka tjetër, u arrit për 30 minuta në Kuvend.
Madje këtu me një gur vret dy zogj edhe përmbys pushtetin e Edi Ramës edhe mban larg pushtetin e Lulzim Bashës që nuk hyn dot në sallë se dhe atij ja kanë zënë karriget.
Dhe për këtë ka meritë Sali Berisha. Po të mos ishte Sali Berisha në krye të kësaj opozite, kurrë nuk do ishte arritur kjo fitore.
E para nuk do ishte arritur pasi nëse do kishin një kryetar normal që nuk do ishte “non grata” ai nuk do ishte në makth, nuk do ishte gjithë kohën nën alarm, nuk do kishte gjithë ditën në gojë trojet, pallatet, kullat e çdo gjë tjetër që i kujton drejtësinë.
Do ishte një kryetar normal, që do shkonte në Kuvend të diskutonte kot jo taksat kaq, jo buxheti aq, jo pse e keni dyfishuar, pse nuk e keni trefishuar, pse i keni rrit rrogat 50 për qind e jo 100 për qind, pse I keni rrogat më të ulëta se në Gjermani, se na ikin punëtoret në Gjermani dhe gjëra të tilla bajate që nuk I dëgjon njeri.
Pra fati është që kanë në krye Berishën, I cili nuk ka ndërmend të humbas kohën me budallallëqe të tilla e diskutime në Kuvend, por është në aksion për të marrë pushtetin dhe e përmbysi pushtetin aktual nga karriget për 30 minuta.
E dyta nëse nuk do ishte Berisha kryetar I kësaj partie, dhe nëse ai nuk do kishte djalë Shkëlzenin apo vajzë Argitën, nuk do kishte akuza as për Gërdecin as për boronicat, as hetim pasuror, as hetim për 17 kullat e vajzës, as hetim për firmat e tij si kryeministër dhe jeta në kuvend do ishte monotone dhe Edi Rama nuk do shqetësohej kurrë.
Por për fatin e zi të Edi Ramës dhe fatin e mirë të opozitës janë gjithë këto problem të Berishës dhe fëmijëve të tij me drejtësinë që mbajnë lart gatishmërinë revolucionare të opozitës dhe e detyrojnë atë të hidhet në aksion në moshën 80 vjeçare dhe të përmbys karriget e pushtetit për 30 minuta.
E treta nëse nuk do ishte Berisha në krye të opozitës dhe nëse nuk do kishte takim çdo dy të hëna në orën 10 në SPAK, jeta opozitare do ishte monotone dhe tani do ishin duke diskutuar gjëra të rëndomta që lidhet me buxhetin apo PPP, koncesionet, borxhin publik e banalitete të tjera.
Fal SPAK në Kuvend temat janë bërë më serioze. Salianji fjala vjen ishte gati të digjte dhe gishtat e fundit që I kanë mbetur pa bërë pis, duke mbajtur flakadanin në dorë vetëm e vetëm që dikush nga drejtësia ta shikoj me kë ka të bëj.
Është kjo arsyeja që ai po thyen rekord botëror në mosndëshkueshmëri, pasi ka dy vjet që është dënuar me burg dhe kërcënon për dy vjet gjyqtaren që nuk shqipton vendimin, por fshihet. Ai flakadan në ato duar është kushtrimi real se si mposhtet drejtësia dhe një paralajmërim se me kë ka të bëj drejtësia nëse vepron ndaj tij dhe Berishës.
Ka dhe shumë arsye të tjera të forta që e bëjnë aq bindës faktin që ky pushtet u përmbys 30 minuta vetëm nga fakti që Berisha është kryetar opozite, por nuk ja vlen ti rreshtojmë të gjitha.
Në fund të fundit vlen ajo që u pa, që ai arriti ta përmbys karriget e pushtetit. I vuri karriget njëra mbi tjetrën, e la pushtetin në këmb dhe vet u ul në karrige.
Dhe nuk është pak të jesh 30 minuta ulur në karrige, kurse pushteti të rrij në këmbë. Nëse këtë e bën çdo javë pak nga pak mund të bëj 8 orë në pushtet për 24 javë, që I bie afërsisht gjashtë muaj periudha kohore, ose një ditë në pushtet, në gjashtë muaj.
Pastaj në fund të 30 minutëshit, dikush I kujton se duhet ti çoj dhëndrit sup në burg, dhe se ajo vajza e pret të hënën në SPAK. Këtu Berisha harron që e ka përmbysur pushtetin dhe ulërin se do futet në grevë urie.
Kjo është zgjidhje e mirë, se nuk ka nevojë që familja të çoj sup dhe në burg dhe në grevë. Të paktën shpëtojnë një pjatë supë, dhe ky është një privilegj që kanë vetëm pasi kanë “përmbysur” karriget e pushtetit.
Por e gjithë kjo nuk do ishte e nevojshme nëse shkon në gjykatë dhe e fiton aty betejën e tij, të djalit dhe të vajzës që janë akuzuar për hajdut.
Duke shkatërruar karriget vetëm i keni dhënë shans Linditës të bëj një tender të ri për to.