Na ndiqni edhe në

Opinione

Kujt i takon të flasë pas videos numër dy të Parashqevi Simakut

Kujt i takon të flasë pas videos numër dy të Parashqevi
Nga Mira Kazhani

Parashqevi Simaku është takuar nga një shqiptare rastësisht dhe kjo e fundit ka filmuar një video me të.
Është një video që po e publikojmë për të qartësuar opinionin publik nëse ishte apo jo Parashqevia dhe sesi e në çfarë gjendje është Parashqevi Simaku, sot.
Sepse një video që tregon një artiste të madhe shqiptare që përfundon në rrugë është lajm kombëtar dhe pikë.

Amerika ka shumë të pastrehë por ata janë të panjohur dhe s’janë lajmi ynë as shqetësimi ynë.

Në video Parashqevi Simaku shfaqet, e sjellshme, me buzëqeshje dhe ende e bukur por është ajo Parashqevia e televizonit amerikan që shfaqej falenderuese për një batanije të falur.

Uroj që kjo video të jetë e fundit sepse u bë më e trishtueshme për shqiptarët që dëshmojmë e konfirmojmë gjendjen e artistes së tyre, Parashqevi Simaku, në rrugë.
Ndoshta kjo është zgjedhja e saj siç ndonjë e ka pretenduar këto dy ditë, por një jetë e tillë nuk është zgjedhje por pasojë.

Dhe e fundit si morali i fabulës: Kjo histori do përgjigje zyrtare, duhet një ekip zyrtar të angazhohet për fatin e Parashqevi Simakut. Nuk mund të jetë më thjesht një kuriozitet rrjetesh sociale, komentesh, apo konspiracionesh.
Nuk mund të jetë më as e personazheve mediatik, portaleve, internetit, apo e botës së biznesit, sado dashamirës dhe të mirëpritur.

Aq më tepër që si çdo histori që përfundon në internet, sado e madhe dhe e drejtë, e vërteta ka fatin e shpartallimit dhe ngjarja ka humbjen e qëllimit, fatkeqësisht.
Uroj ta bëjë shteti shqiptar diçka për Parashqevinë./Tirana Post