Kazerma e Krastës e ndërtuar me 50 milionë franga ari, sot e rrafshuar deri në themel!
Dritare.net
Nga Artan Lame
Ashtu sikundër arti për art është forma më sublime e artit, ashtu edhe barbaria për qef është forma supreme e barbarisë.
Kazerma e madhe në Krastë të Elbasanit është ndërtuar në vitet ‘30 me fonde të huasë SVEA prej 50 milion franga ari që mori shteti shqiptar aso kohe. U ndërtua me materiale që kryesisht u sollën nga Italia, tulla, çimento, trarë, tjegulla e të tjera. Edhe projekti ishte italian dhe… si ç’dinë të ndërtojnë italianët, rezultati ishte një godinë e shëndoshë dykatëshe, nga ato që mund të qëndrojnë me qindra vjet pa u tundur. Mure të trasha tulle, qemere të bukura nëpër dritare, fasadë dhe hyrje kryesore me gurë të skalitur, çati me trarë të shëndoshë lisi të stazhionuar, e ç’tu them tjetër.
Ishte një godinë aq e madhe sa, deri në ndërtimin (nga një tjetër perandori, ajo Sovjetike) e Kombinatit Stalin në Tiranë, kazerma e Krastës mbajti rekordin e të qenit godina më e madhe në Shqipëri. Ishte një investim aq serioz sa, në 1946-ën kur në Paris diskutohej për Traktatin e Paqes me Italinë, italianët e përmendnin Kazermën e Krastës në listën e investimeve kryesore të bëra prej tyre në Shqipëri dhe Foreign Office britanik bëri inspektim në vend për ta verifikuar. Foreign Office oreee, ai që duhej të merrej me punët e gjithë botës, gjente kohë të shkonte deri në Krastë!
Godina i shërbeu ushtrisë shqiptare deri në vitin 1939 dhe më pas, deri në vitin 1943 shërbeu si spital ushtarak. Ka një fotografi shumë të bukur të Musolinit duke dalë nga porta e Kazermës pas një vizite tek ushtarët italianë të shtruar aty pas luftës italo-greke. Musolini them oreee, ai burri që kur kishte ndonjë hall merrte në telefon Çurcillin apo Hitlerin po të donte dhe që gjente kohë të shkonte edhe deri në Krastë.
Pastaj erdhën dhe ikën edhe gjermanët dhe nuk e ngacmuan godinën, nuk i thyen as xhamat, aq pushtonjës të liq ishin.
Pas gjermanëve erdhën partizanët dhe godina sërisht i shërbeu me dinjitet ushtrisë së shtetit shqiptar edhe për nja 50 vjet të tjera.
Pastaj erdhi viti madhështor 1997, viti i luftës së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Godina u plaçkit së brëndshmi, por s’i ndodhi gjë tjetër. Megjithëse pa lavdinë e dikurshme, vijoi të mbetej në shërbim të shtetit shqiptar tashmë pa ushtri.
Në vitin 2010, Qeveria Berisha ja kaloi godinën dhe territorin përreth, Universitetit të Elbasanit. Shtet leshi që – pa fuqi të ndihmonte shkollën realisht duke i ndërtuar godina të reja – bënte sikur e ndihte pe gjoja duke i dhënë një nga godinat që ishin.
Dhe ky ishte fundi. Ushtria, me sebepin që “nuk është më e jona”, I hoqi rojet; ndërsa Universiteti me sebepin që “s’kishte pará” nuk vuri rojet e veta. Kombinacioni perfekt që ju ka shërbyer shqiptarëve ndër shekuj për të bërë plaçkë. Ajo hapsira kohore midis tërheqjes së një ushtrie dhe mbërritjes së ushtrisë tjetër.
Sefte godina u plaçkit nga çdo gjë që ende mund të shkulej: dyer, dritare, trarë, parmakë. Pastaj ju lëshuan çatisë e shkullën të gjithën tjegulla, kapriata, qereste. Trarë të shërdoshë lisi që kishin mbetur të paprekur për treçerek shekulli, tjegulla italiane të ardhura që përtej detit. Ndoshta mund të kish qenë e kuptueshme ajo plaçkitje në varfërinë skamtare të viteve ‘90. Por në vitin 2015?!
Në fund mbeti godina, në madhështinë e saj të zhveshur, mure të larta e të trasha guri, porta e dritare me qemere tulle të lidhura fort, nga ato që si ç’na kanë dhënë shembull godinat romake, mund të rezistojnë edhe dymijë vjet. Furisë së natyrës, por jo furisë njerëzore shqiptarore.
Diku rreth vitit 2015, dinosauri i Krastës filloi t’i nënshtrohej bash kësaj furie. Me kazma e qysqi, me leva e dalta, e thonj, zunë t’i shkullin një nga një gurët e tullat. Jo, gabova, nuk i shkulnin, i thyenin. Ajo godinë ishte bërë me llaç e çimento aq të fortë, sa ishte e pamundur t’ia shkulje tullat për t’i ripërdorur për punë tjetër. Punë italianësh, e bërë pa tender dhe jo me çimento Kruje, ishte në gjendje t’i rezistonte çdo përpjekjeje për t’ia marë tullat pa i bërë copë-copë. Dhe ja bënë copë-copë. Pa fitim, thjesht për inat, për zakon.
Ishte e pamundur t’i ndaloje a frenoje. Shkruajta për të tërhequr vëmendjen para disa vjetësh. U bënë edhe nja dy kronika. Po ai avaz. Ushtria thoshte s’është e jona. Universiteti thoshte s’e kemi marrë në dorëzim. Dhe s’kemi pará për ta investuar. Dhe s’kemi njerëz për t’a ruajtur. Ndërtimorja thoshte ne nuk merremi me ndërtimet me leje, por me ato pa leje. Fola me Gjergj Lucën se mos i bënte derman, meqë i shkon llafi se po mban me bukë gjysmën e krahinës atje.
U përpoq, por s’mund të merrte mitralozin të ruante gazermën e tjetërkujt – ndjesë – askujt. Fola me Taulantin, asokohe deputet atyre anëve. U përpoq, megjithëse filluan ta marin zët zgjedhësit, se sipas mëndjes së tyre po ju hynte në pjesë. Ca muaj rrënimi sikur u frenua. Por unë, Taulanti, Luca, kishim punët tona s’do gdhinim e ngrysnim në Krastë, ndërsa ata të Krastës e kishin binanë tek dera e shtëpisë. Zunë ta rrënojnë sërisht.
Sot godina nuk egziston më. E rrafshuan deri në themel.
Do më thoni ku ishte shteti. Ky shtet, që është, që ka qenë, apo edhe ai që do jetë, ka patur, ka e do të ketë kusuret e veta. Por nuk është thjesht puna ç’bën shteti. Shteti nuk është gjë tjetër, veç esencë e koncentruar e shoqërisë që e ka prodhuar.
U ula një nga këto ditë mes coprave të tullave atje në lëndinë dhe u përpoqa të kuptoj. Ishte një fushë e stërmadhe mbuluar me pirgje llaçi, gurësh e tullash të copëtuara. Duhej të kishte qenë një punë e stërlodhshme, mes pluhurit, vapës, zhurmës, reziqeve dhe ciflave të gurëve, por ja kishin dalë të bënin copë-copë çdo gjë pa asnjë përfitim, thjesht për sport.
Kam lexuar pa fund ndër libra historie për akte barbarie, por ato ishin gjithmonë barbaria e të varfërve që shkatërronin dhe vidhnin nga halli, nga fukarallëku. Kemi parë madje edhe amerikanë modernë të periferive që shkatëronin e digjnin supermerkatot, por edhe ata e bënin nga fukarallëku e dëshpërimi.
Ndërsa aty në Krastë isha i rrethuar nga vila dy e tre katëshe që s’dukeshin të ishin pronë njerëzish të dëshpëruar; dhe qëndroja i ulur mbi pirgje rrënojash të thyera jo nga halli apo nga fukarallëku, po të shkatëruara thjesht për qef. Ashtu sikundër arti për art është forma më sublime e artit; ashtu edhe barbaria për qef është forma supreme e barbarisë. Dhe këtë, unë që kam harxhuar çerek shekulli duke studiuar librat e botës, e kuptova vetëm aty, majë kodrës mijëravjeçare të vendit të shqiponjave./dritare.net