Na ndiqni edhe në

Opinione

Gazi Botës!

Gazi Botës!

Nga Ermal Peçi

Sali Berisha është mjeshtër kur shkon puna për të pranuar “të penduarit”, nuk ka politikan të dytë si ai në Shqipëri, për të ngritur figura që deri dje i akuzonte për çdo gjë dhe të nesërmen me preteksin për të mirën e Shqipërisë, sheshon gjithçka, i mbush me lëvdata dhe ëndrra se ata janë të vetmit që luftojnë “regjimin” dhe në fund pret momentin t`u presë kokën. Kështu e tregon historia rrugëtimin e Sali Berishës në politikën e trazicionit demokratik shqiptar. Në opozitën e vendit po duket një çoroditje e madhe duke u larguar nga thelbi i asaj që realisht solli gjithë këtë luftë në PD. Non grata tregoi atë që sytë e demokratëve dhe shqiptarëve nuk mund ta imagjinonin. Deputetë, të çilët silleshin si nënpunës dhe individë, të cilët kapardiseshin në studiot televizive si politikanë të kalibrit të lartë, por që përfunduan më pas me sytë nga Berisha, duke përtypur çdo akuzë ndaj tij duke u bërë gazi i botës.

Duke shmangur thelbin e nongratës, një kauzë e cila solli përçarjen e PD. Merren me çështje numrash si për t`u larguar nga thelbi i vërtet i asaj që opozitën prej kohës e ka shkatërruar. PD nuk ka kartën morale për të qeverisur vendin dhe në këtë mënyrë është duke u bërë gazi i botës. Blerja e fundit e Berishës e ka emrin Gazment Bardhi, ish -Sekretari i Përgjithshëm i PD, një nga njerëzit më të besuar të Bashës, tashmë së bashku me një grup deputetësh është ulur zyrtarisht me Berishën duke u distancuar nga PD zyrtare. Bardhi dhe Berisha i harruan akuzat e tyre, por duke e veshur pretekstin e bashkimit nën petkun e të mirës kombëtare, gjithçka u hodh pas krahëve, por jo për Berishën, ai në një intervistë televizive, i drejtohej Bardhit si një deputet normal dhe në qoftë se do të donte të bëhej kryetar i grupit parlamentar të vinte të votohej tek Rithemelimi, duke ngritur krah PD-së zyrtare një institucion paralel imagjinar me kompetenca si një parti politike. Sikur mos të mjaftonte e gjithë kjo mesele e opozitës deputetët që mbështesin Bardhin e njohin për kryetar të grupit parlamentar ndërsa ata të Berishës e njohim si deputet duke e kthyer gjithë situatën në komiko-tragjike.

Në anën tjetër tashmë PD i ka forcuar institucionet e saj politike, duke nisur nga Këshilli Kombëtar deri tek Kryesia që është instanca më e lartë e partisë dhe po përgatitet të zhvillojë betejën e saj politike kur mbështetja e ndërkombëtarëve do të jetë thelbësore për procesin e shkatërrimit-kreativ në forcën më të madhe opozitare dhe atë që njeh historia, si partia që solli pluralizmin. Ndërkohë kryetari i saj duket se ka nisur me agjendën e takimeve me ndërkombëtarët duke bërë një vizitë dy ditore në Francë e më pas do të mbledhë kryesinë për të koordinuar hapat e radhës në çdo betejë që pritet të vijë. Kjo është panorama e një vendi në të cilin politikanët që duhet të rreshtoheshin të parët krah partnerëve ndërkombëtarë, zgjedhin të fusin çdo temë në kalendar greke duke folur për numra, por jo për thelbin e non gratës. Tradhtojnë parimet për të përfunduar në pazare ku më pas përfundojnë duke u bërë gazi i botës./dritare.net