Çfarë fsheh vrasja e dyfishtë në Maqedoninë e Veriut!
Dritare.net
Nga Emir Kurtishi, Jurist
Përgjatë gjithë këtyre viteve, edhe atëherë kur ndodhi vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, edhe në rastet e tjera, nuk është parë konferencat për shtyp, t’i mbajnë së bashku ministri i punëve të brendshme dhe prokurori publik. Që në fillim, panorama e datës 04 dhjetor 2023, tregonte se bëhet fjalë për diçka serioze.
Edhe pse, konferenca për shtyp zgjati mbi një orë, sërish në atë katrahurë ngjarjesh, ngelen ca gjëra nebuloze dhe të pasqaruara, që as prokurori publik e as ministri për punë të brendshme, nuk arritën t’i sqaronin, e njëjta u ripërsërit edhe në konferencën e mbrëmshme për shtyp, me rastin e shpalljes së lajmit se i dyshuari kryesor i vrasjes së dyfishtë, i cili deri mbrëmë ishte në arrati dhe pas shpalljes së flet arrestit ndërkombëtar nga ana e INTERPOL-it u kap në territorin e shtetit turk. Ngjarja në fjalë, shpërfaq shumë pista të dyshimit, por disa doemos duhet të vihen në sipërfaqe. Autori i vrasjes së dyfishtë, i ashtuquajturi Palço, u arratis me ndihmën e avokatit të tij! Ministri i punëve të brendshme, deklaroi se në kohën kur është arratisur as që ka qenë i dyshuar, por atëherë, përse ka ikur, a ka pasur me të vërtetë kontroll mjekësor në Beograd dhe a është zgjedhur rastësisht avokati i tij? Këto janë pyetje që duhet t’u jepet një përgjigje. Të udhëtosh me dikë deri në Beograd, natyrisht që kërkon ta njohësh tepër mirë. Biografia e Palços, lë të kuptosh se nuk kemi të bëjmë me një njeri të thjeshtë, pra, me një kriminel ordiner. Të jesh pronar biznesi, mediumi, kryetar i një partie politike, jo e pamundur, por një personalitet i tillë, vështirë se mund të bëhet vrasës, edhe atë vrasës për një makinë, 500 euro dhe një shumë parash që do të mund t’i fitonte me rastin e rrëmbimit të vajzës 14 vjeçare. Pra, motivi i vrasjes sikur zbehet kur përmendet çështja e interesit personal dhe pasuror. Ai i cili e ka interesin e parasë, viktimën gjithmonë e sheh në syrin e parasë. Qëllimi i tij asnjëherë nuk është vrasja e personit të rrëmbyer, por përfitimi nga rrëmbimi. Vrasja kryhet në instancë të fundit dhe vrasjes gjithmonë i paraprinë një arsye e fortë që mund të jetë personale ose e porositur. Ajo që e bën enigmë edhe më këtë rast, është prezenca e vet të atit të saj, se cili ka qenë interesi i tij! Fakti tjetër që duhet të kihet parasysh në biografinë e Palços dhe që mund të hap një pistë të re hetimi, është lidhja e tij me nëntokën.
Rrethanat e rrëmbimit të vajzës, alivanosja apo futja e saj në gjumë të thellë, futja në thes, për të dalë te spekulimet se ajo më pas është gufatur dhe ka ndërruar jetë, çojnë në atë se vdekja e saj, ka qenë e planifikuar më herët. Viktimën, vdekja e saj e gjen në ora 10:00, kurse rrëmbimi i saj ka ndodhur në orën 07:00, vetëm 3 orë pasi është rrëmbyer, një orar i papërshtatshëm nëse qëllimi do të ishte interesi financiar. Atëherë, përse do të ishte e nevojshme këtu edhe makina e 78 vjeçarit nga Velesi në kryerjen e kësaj vepre penale!?
Rrëmbimet, rëndomë ndodhin për arritjen e rezultateve të caktuara, të cilët mund të jenë të natyrave të ndryshme dhe më e pakta që bëhet në të tilla raste, gjithmonë nisemi nga përvojat e dëgjuara, është marrja në celular e tjetrit për njoftimin e rrëmbimit dhe realizimin e kërkesës që e vendos ai i cili e ka rrëmbyer personin. Me fjalë të tjera, të dyshuarit, do ta kontaktonin cilindo prej prindërve, ose ja ta zëmë edhe gjyshin e 14 vjeçares, meqenëse ai qenka i kamur dhe në trashëgimi vajzës së tij ia paska lënë 5 banesa, do t’ju kishte dhënë atyre kohë që t’i bëjnë gati të hollat dhe t’i dorëzojnë në vendin e caktuar. Indikacionet se ata i ka kapur paniku, nuk qëndrojnë në të tilla raste dhe nuk e justifikojnë vrasjen. Meqë, i ati ka qenë bashkëpunëtor dhe i ka njohur nga afër të dyshuarit dhe i ka njoftuar për daljen e vajzës nga banesa, atëherë me siguri do ta kishin njoftuar të atin se situata ka dalë prej kontrolli, çfarë dhe si t’ia bëjmë më tutje. Të dyshuarit, të cilët personalisht për mua, kanë qenë tejet të përgatitur dhe inteligjentë, e kanë ditur se vrasja nuk i fshin gjurmët, por vetëm se më tepër e përkeqëson situatën, në ato raste paniku edhe më tepër shtohet, sidomos kur bëhet fjalë për vrasje të dyfishtë.
Nëse, gjithë kësaj kronologjie ia shtojmë edhe përgatitjen e terrenit nga mediume të ndryshme nacionaliste maqedonase, dhe personave të caktuar për hedhjen e spekulimeve se vajza është parë dhe ka indicie se ajo tashmë është transportuar dhe gjendet në Kosovë, gjithmonë pra duke e theksuar etnitetin shqiptar që ngjarjes t’ia vendosin epitetin etnik me çka do t’i shërbente situatës edhe ashtu të tensionuar me zhdukjen e vajzës 14 vjeçare, me çka situata ndëretnike do të ndizej dhe më keq, dhe do të krijohej mos e dhëntë Zoti ndonjë destabilizim që dikujt në këtë periudhë kohore do t’i shkonte për shtat.
Andaj, në këtë panoramë ngjarjesh, lind dyshimi i bazuar me pyetjen se: a është dashur edhe kësaj here, si gjithmonë siç ka ndodhur edhe në të kaluarën të inskenohet dhe të montohet një rast i montuar politik, por që me ndërhyrjen që në fillim të INTERPOL-it, ka dështuar!?/dritare.net