Nga Neda Balluku
Encën e spiunuan se në ballkon kishte mbjellë disa vazo hashashi. Tha se e kishte për përdorim personal. Për qejfin e vet. Dhe po mendoja, nëse Enca nuk do e kishte mbjellë vetë, a do e gjente diku tjetër hashashin? Them se po?!
Enca i bie telefonit. Bën porosinë. Për "nja 40 minuta yllo" do i thonte shpërndarësi. Do mbërrinte, do e shiste, Enca do e blinte, ai do ikte.
Ai djali, e quajmë me emër hipotetik, po themi Landi, atë ditë kishte dalë nga shtëpia në 10 paradite. Kishte bërë nja 7-8 shpërndarje. Do e mbyllte "punën" shpejt atë ditë se në darkë do nxirrte për të ngrënë dashnoren e re që mezi kapi. Mos më çani kokën mua, se kështu na quajnë të tërave derisa martohemi. Pastaj bëhemi thjesht nusja. Po temë tjetër kjo.
Landi ka blerë sytjena firmato dashnores së re. E çon për darkë në një restorant të mirë. I jep një 200€ "t'i kesh për lekë xhepi shpirti" dhe shpirti e respekton pas darkës. Këtu uroj ta kenë shijuar të dy.
Dashnorja Landit e di mirë me çfarë merret Landi. Se nuk është naive. Një vajzë naive nuk vesh sytjena firmato. Ama i merr lekët e Landit dhe i vë në përdorim. I fut në ekonomi lekët e paligjshme. Legjitimon "punën" e Landit. Ose më saktë, i moralizon duke i pastruar. Bën jetë qejfi me lekët e hashashit. Lekët e Encës.
Tani pyetja ime është; kush bën më shumë turp?! Enca që shkel ligjin dhe mbjell, Enca që shkel ligjin dhe blen, Landi që shpërndan, dashnorja që përdor para të pista, apo të gjithë së bashku?!/dritare.net