Na ndiqni edhe në

Opinione

Diplomati i hidhur Escobar dhe “individi” Kurti

Diplomati i hidhur Escobar dhe “individi” Kurti

Nga Skënder Minxhozi

Ka qenë veçanërisht i ashpër i dërguari amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar. Ka thënë nga e para të gjitha ato që SHBA ka adresuar në formë kritikash të drejtpërdrejta ndaj Albin Kurtit, por ka qenë veçanërisht therës dhe pa dorashka në fjalët e tij. “Uashingtoni nuk mbështet një individ “që nuk ka instinkt bashkëpunimi”. Duket sikur kjo frazë i ka të gjitha brenda. Dëshpërimin, sfidën dhe kërcënimin. Deklarimi i Escobar për heqjen e mbështetjes vjen pak ditë pasi Kosova u përjashtua nga manovra e madhe ushtarake e NATO-s në Evropë “Defender Europe 23”.

Nuk pritej diçka tjetër, pas deklaratave të “individit” Kurti, siç e quan Escobar, në lidhje me “naivitetin” e sekretarit të shtetit Blinken. Komente që s’do të guxonte t’i bënte asnjë kryeministër i përgjegjshëm i Ballkanit sot, e sidomos një kryetar qeverie i Kosovës. Të vetmit shtet të ri ende me status ndërkombëtar të brishtë e të përballur me një fuqi rajonale si Serbia, e cila po bën çmos që Kosova të mbetet në vend-numëro. E paintegruar, e dobët ekonomikisht dhe nën kërcënimin e ultra-nacionalizimit serb, i cili nis tek krerët e shtetit në Beograd e përfundon tek huliganët e veshur civilë që kacafyten rrugëve të Veriut të Kosovës.

Deklaratat e Escobar vijnë pak orë pasi një media prestigjioze si “The Economist” bënte akuzën më të errët ndaj Abin Kurtit: Provokoi në mënyrë të parashikueshme protestat dhe injoroi thirrjet e diplomatëve perëndimorë. Aludimi është i qartë: e dinte çfarë po bënte, e dinte që po provokonte një katrahurë dhe sërish e bëri! Akuzë më të rëndë se kjo vështirë se gjen. Është akuzë për zjarrvënie.

Karakteri sfidues i Albin Kurtit njihet prej vitesh. Është një personazh që jeton me sfidën, shpërfilljen dhe arrogancën ndaj tjetrit. Vetëm se në këtë rast ai ka përzgjedhur të sfidojë jo kundërshratë politikë, jo serbët dhe Vuçiçin, por të gjithë perëndimorët në bllok. I ka quajtur naivë, ju ka vënë kushte a thua se ka ndonjë arsenal bërthamor pas shpine, i ka kundërshtuar në çdo kërkesë a propozim që kanë pasur. Në çdo analizë logjike sadopak të ftohtë e objektive, kjo është sjellja e një njeriu që sfidon palën e gabuar. Atë palë që mban në duar prej vitit të largët 1999 fatet e brishta të shtetit të ri kosovar.

Nga buron kjo dëshirë për të luajtur një lojë të rrezikshme, fatale dhe padyshim me pasoja. Jo për karrierën personale të Albin Kurtit, pasi kjo ka pak rëndësi kur vendoset në kontekstin e përgjithshëm, por me pasoja për të tashmen dhe të ardhmen e të gjithë Kosovës.

Kurti është i bindur se po bën gjënë e drejtë. A nuk kanë qenë të bindur para tij dhjetra e ndoshta qindra drejtues shtetesh se po bënin gjënë e drejtë, ndërkohë që po luanin bixhoz me fatet e popujve të tyre?! Sepse në fakt kjo që po bën sot kryeministri kosovar është një lojë aventureske kumari me nervat, vullnetin dhe qëndrimin e fuqive perëndimore ndaj statusit të Kosovës, të ardhmes së saj.

Përkrahësit e Kurtit nuk humbasin rast të shprehin publikisht kënaqësinë se në këtë përballje me amerikanëet dhe evropianët, kanë pas vetes pëlqyeshmërinë e publikut kosovar, votën dhe përkrahjen e tyre. Natyrisht që populizmi është më i ëmbël për veshët e mendjet një bashkësie që e sheh me simpati faktin që qeveria e tyre ngul këmbë skajshëm në përballjen me serbët e Veriut dhe shtetin armik që qëndron pas atij gardhi. Por kjo është perspektiva e një njeriu të thjeshtë që nuk mendon gjatë dhe nuk di shumë. Politikani duhet edhe të mendojë edhe të veprojë në bazë të atyre që di, sepse është pozitën e menaxherit që di shumë më tepër se votuesit e tij.

Iluzioni se Kurti mund t’ja hedhë sherrit me Amerikën, me zgjerimin e mbështetjes popullore, është një kredo pa të ardhme. Shumë të tjerë para Kurtit, në pozita drejtuese dhe komode, kanë pasur iluzione të ngjashme kur ka qenë puna për të sfiduar partnerët ndërkombëtarë. Thuajse të gjithë kanë përfunduar keq. Albin Kurti nuk do e zgjidhë dot me zgjedhje dhe vota konfliktin që ka me amerikanët. Jo me serbët, por me amerikanët dhe evropianët. Mund të marrësh vota sa të duash, por kur vendi yt ndodhet në një rrugë të ngushtë e plot gropa, që kërkon mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare, nuk të bëjnë punë votat.

Përcaktimi i Escobar se problemi nuk është Kosova, por kryeministri i saj, e ka vendosur Albin Kurtin në një qoshe të sikletshme, si ata fëmijët që i dënon mësuesi të rrinë me një këmbë te cepi i klasës. A do të dijë të dalë prej andej me dinjitet dhe mençuri, apo do të flejë në dafinat e rrejshme të mbeshtetjes së brendshme popullore?!/javanews