
Nga Mero Baze
Zemërimin më të madh lidhur me marrëveshjen e tij me kryeministren Meloni, Edi Rama e ka marrë nga e majta italiane dhe natyrisht e majta evropiane. Për ta, Meloni është një “fashiste” e djathtë, që kërkon të ndjekë një rrugë jo evropiane kundër emigrantëve të paligjshëm. Dhe janë të zemëruar që një aleat i tyre i së majtës, po i gjendet pranë në këtë manovër.
Nuk është se nuk kanë të drejtë. E majta ideologjike evropiane respekton parimet e saj dhe mbi të gjitha, betejat e saj kundër të djathtës
Problemi që ka Edi Rama me ta dhe që shfaqet si problem ideologjik, në fakt buron nga pozicioni i tij si kryeministër dhe jo nga pozicioni si kryetar i Partisë Socialiste.
Edhe ashtu ai nuk është një i majtë shembullor, por në këtë rast nuk ka vepruar si udhëheqësi i të majtëve, por si kryeministri i Shqipërisë. Dhe rreziqet që ka çdo politikan që merr hapa të tilla, janë rreziqe pushteti, jo rreziqe ideologjike.
Paradoksalaisht, në gjithë Evropën, Edi Ramën po e sulmon e majta dhe ka të drejtë, përfshi dhe figura serioze të saj si Romano Prodi, që është mik i tij, kurse në Shqipëri po e sulmon ajo që quhet “e djathta”. Për ta bërë dhe më paradoksale situatën, në Shqipëri po e sulmon Sali Berisha, i cili ka dy vjet i izoluar si “non grata” dhe në Kuvendin e partisë së tij private, e vetmja politikane perëndimore që i dërgoi telegram ishte Meloni, për shkak të qëndrimeve të saj kontroverse ndaj politikës së imponuar të Perëndimit ndaj figurave të tilla.
Pra në ditën më të vështirë të Berishës, Meloni i është gjendur pranë, kurse Berisha po ja kthen nderin në ditët e saj të vështira politike me Evropën.
Pavarësisht si do shkojë fati i marrëveshjes derisa ajo të vijë në Parlament dhe të ratifikohet, ajo përfundimisht i ka ndarë palët në dy pjesë, e majta evropiane dhe Berisha janë kundër, kurse e djathta evropiane po mbështet në heshtje Melonin, në mungesë të zgjidhjeve të tjera që kanë për refugjatët.
Tani nëse Melonit ja përkthejnë dhe i thonë që përveç atyre komunistëve italianë, ka dhe Sali Berishën kundër, natyrisht mund të zemërohet me të, por do të ishte mirë ta kursente në këtë rast.
Thellë thellë Berisha po e ndihmon Melonin në këtë situate, më shumë se Rama. Falë tij ne kemi një opozitë të shkatërruar dhe një pushtet të plotë të Edi Ramës, që nuk i rrezikon gjë atij dhe kur merr vendime që janë ideologjikisht kundër parimeve të së majtës së tij.
Dhe këtë meritë duhet t'ia njohë Berishës dhe ta sqarojë Melonin të mos mërzitet./gazetatema

















