Na ndiqni edhe në

Opinione

Berisha në shtëpi, Gjikuria në Amerikë, opozita në Himarë (për plazh)!

Berisha në shtëpi, Gjikuria në Amerikë, opozita në

Nga Skënder Minxhozi

Trajektorja e habitshme që ndërton titulli i këtij shënimi është thelbi i asaj që po jeton politika shqiptare vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare. Ndërsa në bregun tjetër të Atlantikut fushata elektorale amerikane ka nisur de facto një vit para ditës së zgjedhjeve, këtu tek ne, ku duket sikur jetojmë e hamë çdo ditë vetëm politikë, situata është shumë më e relaksuar. Plazh, debate për çmimin e makaronave në Dhërmi dhe gossip vajzash të ekranit.

Janë mbushur vetëm dy javë nga një palë zgjedhje të mbajtura në mes të verës, në një bashki si Himara, e cila përmbledh shumë simbolika, interesa dhe rivalitete. Sot, 15 ditë pas momentit kur Tavo mori bashkinë dhe Gjikuria kuptoi se e kishin përdorur, qerthulli zhurmëmadh i Himarës është mbyllur siç nisi: Beleri humbi edhe shpresën e fundit se mund të ketë ndonjë influencë mbi bregun e Jonit, socialistët morën atë që deshën (siç po ndodh prej 12 vjetësh), Gjikuria e Dule morën të fundit mësim të hidhur nga përplasja me Edi Ramën që bredh këmbëzbathur plazheve të Jonit.

Dhe flluska e madhe dhe plot rropamë me emrin “Himarë” u shfry sikur nuk ishte fare. Ashtu siç janë fryrë e shfryrë shumë flluska të tjera në momente tensioni politik, të cilat në fakt kanë qenë dhe janë momente teatrale më shumë sesa kriza reale.

Sa për opozitën, ajo e ka marrë shtruar. Pasi bëri adetin elektoral me kandidatin rezervë Petro Gjikuria, opozita zyrtare e la Berishën në katin e tetë në Tiranë me 30 veta poshtë që duartrokasin çdo natë të njëjtin fjalim, la gjithashtu pas edhe Belindin dezhurn te bashkia që të bezdisë policët në mes të vapës dhe u nis për plazh… po në Himarë. Aty u kishte premtuar se do të niste ngjitja drejt pushtetit! Me një ndryshim: që Ilir Meta s’po le pellg uji e lum pa notuar! Edhe ai një imazh qesharak e simbolik i kësaj opozite që i ka lënë kryeministrit luksin që të merret me postime fotosh turistike pak muaj para votimeve më të rëndësishme për pushtetin në vend.

Opozitarët e besojnë realisht se e meritojnë një muaj pushimi, siç e përcakton zanati i parlamentarit, paçka se zgjedhjet janë praktikisht në derë e ata vetë janë pas, e jo para derës së pushtetit. Besojnë se po sillen normalisht dhe në një situatë normale. E cila në fakt nuk është aspak e tillë, sepse zgjedhjet janë të dera dhe Rama ka 12 vite në pushtet.


Teksa Trump dhe Harris i bien kryq e tërthor vendit të tyre të stërmadh, në këtë cep të Ballkanit puna e zgjedhjeve është marrë me nge dhe pse jo edhe me përtesë. Tamam sikur të dihej paraprakisht fituesi, do thoshte një gojë cinike. Sepse mesa po e shohim të zhdridhet filli i zgjedhjeve shqiptare, puna e votimeve të ardhshme ngjan si ai sekreti që e dinë të gjithë. Aq më tepër kur edhe ata që duhet të jenë në ballë të garës për të rrëzuar qeverinë nga pushteti, po na thonë me gjuhën e heshtjes se zgjedhjet do të jenë vetëm një formalitet.

Ndoshta-ndoshta se kanë keq, sepse ne zakonisht kujtojmë se zgjedhjet dhe fitorja kanë kuptim kur ka rotacion pushteti. Në fakt ata që kacafyten prej vitesh brenda PD po na thonë me duar e këmbë se rotacion do të ketë, madje ka pasur tashmë. Po nuk ishte rotacioni që ne të gjithë kujtojmë, mes PS dhe PD, por ai mes Lulit e Doktorit.

Ky është keqkuptimi i madh që rrethon që tani zgjedhjet e ardhshme për parlamentin. Gaz Bardhi e të tjerët që vijojnë të shullehen në plazhe i kanë mbaruar zgjedhjet e tyre. Morën mandatet në tavolinë dhe i dhanë shefit partinë që të kalojë kohën mes katër mureve. Ajo që vjen vitin e ardhshëm është vetëm rizgjatja ceremoniale e kontratës së punës të Edi Ramës…/javanews