Na ndiqni edhe në

Opinione

Banaku i kandidatit Trump dhe deputetit Kamishi

Banaku i kandidatit Trump dhe deputetit Kamishi

Nga Veton Surroi

A mund të ketë medie sociale pa përgjegjësi sociale? Në vitin 2024, SHBA-ja ndoshta mund të mësojë diçka nga Evropa për një gjë evidente, se Facebooku dhe X nuk janë tel telefonie.

1. Donald Trumpi dhe “Kamishi” mund të kenë diçka të përbashkët, sado e largët të jetë.

Trumpi në janar të vitit 2021 bëri thirrje nëpërmjet rrjeteve sociale për protestë fizike për pengimin me forcë të procedurave në Kongres të shpalljes së Joe Bidenit si fitues të zgjedhjeve presidenciale amerikane. Ky veprim qe vlerësuar si antiligjor nga Komisioni i Kongresit amerikan për shkarkim të Trumpit, kurse platforma “Twitter” ia hoqi të drejtën e llogarisë atij që ende ishte ligjërisht president amerikan, ngase kishte shkelur rregullat e platformës, duke nxitur urrejtje e dhunë.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Bekim Haxhiu, i njohur si “Kamishi”, postoi në platformën “Facebook” foto nga pjesëmarrja e tij në varrimin e një të burgosuri të ikur nga burgu - autor i disa veprave penale - i cili u vra pasi më parë kishte vrarë një polic që e kishte ndaluar për t’i kërkuar letrat e identifikimit. Deputeti Kamishi e përshkroi kontekstin e nderimit të tij për personin e vrarë: “...është shqiptari i parë që shkon nga Kosova dhe vret policë serbë në territorin e Serbisë. Deri te rasti i Faton Hajrizit të gjithë policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë janë vrarë në Kosovë!”.

Pothuajse në të njëjtën kohë kur deputeti Kamishi kishte bërë postimin e tij me të cilin jepte vlerësim pozitiv moral për një shkelës recidivist ligji që në arrati e sipër vret një polic në Serbi - pra, me një përkrahje morale për vrasje të personave që janë duke ushtruar detyrën zyrtare në shtetet e tyre - Donald Trumpi u shfaq në bashkëbisedim online në platformën X me ftesë të Elon Muskut, pronarit të saj. Kandidati presidencial, Trump, e ka të legjitimuar të drejtën që të flasë çka të dojë, meqë Musk, pasi që e bleu Twitterin dhe e emërtoi në X, po ashtu ktheu llogarinë e Donald Trumpit. Ish-presidenti amerikan kështu në formë virtuale iu bashkëngjit deputetit “Kamishi” për të krijuar në publik një sistem të ri vlerash brenda atyre shteteve që duhej të ishin demokraci; këtu nuk po e përmendim fare Serbinë, një shtet jashtë konkurrencës në të cilin kriminelët e dënuar të luftës shfaqen në emisione të mëngjesit të televizioneve me frekuencë kombëtare dhe shpjegojnë se si aktet e tyre ishin patriotike, rrjedhimisht nuk ishin krime të luftës.

Për dallim prej Serbisë, në një demokraci si Amerika tashmë do të duhej të mos ishte e pranueshme që një person publik si Trumpi të shpjegojë se si dhuna e iniciuar nga ai në janar të vitit 2020 ishte akt patriotik dhe të përsërisë se ai do t’i fitojë këto zgjedhje, pos nëse vidhen prej demokratëve - akuzë që e inicioi rebelimin e 6 janarit 2020. Dhe për dallim prej Serbisë, në një demokraci shumë më të re si Kosova, nuk do të duhej të ishte e pranueshme që vrasja e një zyrtari të një shteti tjetër që është plotësisht në të drejtën e vet (në shtetin e tij, duke kryer detyrën zyrtare) të konsiderohet akt patriotizmi. Ishte akt krimi dhe çfarëdo flamuri që përdoret për ta mbuluar është keqpërdorim i flamurit.

2.

Problemi të cilin mendoj ta shtjelloj nuk ka të bëjë me bindjet e z. Trump a z. Kamishi. Fakti se ekzistojnë si bindje të këtilla flet për patologji shoqërore (e meqë jemi te patologjia, lexova një postim përkrahës për deputetin Kamishi nga një psikologe klinike, tregues i mungesës bazike kualifikimi për analizë). Por patologjitë kanë ekzistuar dhe ekzistojnë, çështja që do kuptuar është pse marrin hapësirën publike. Dhe, këtu z. Trump e z. Kamishi janë të pafajshëm, mendimet dhe besimet e tyre do të ishin me shumë pak relevancë nëse nuk do të zinin hapësirën publike nëpërmjet të medieve sociale, e për më tepër me modelin e biznesit të medieve sociale që është i ndërtuar në shfrytëzimin e patologjisë. Në këtë model, çdo fyerje e ofendim, çdo formë nxitje urrejtje e çdo formë e shpjegimeve gjysmë-inteligjente konspirative do të marrë më shumë vëmendje, klikime dhe rrjedhimisht, më shumë para nga reklamat.

Një deklarim i z. Trump se e tërë bota i ka hapur dyert e çmendive dhe burgjeve për t’i dërguar të gjithë të sëmurët psikikë dhe kriminelët në Amerikë nëpërmjet kufirit meksikan do të marrë më shumë vëmendje se një analizë e ndonjë përgjegjësi për statistika që dëshmon se nuk është ashtu, dhe se shumica dërmuese e njerëzve që duan të hyjnë në SHBA janë hallexhinj që duan punë, siguri nga dhuna dhe një ardhmëri për familjet e tyre - diçka që nuk kanë në vendet e tyre të origjinës. Një deklarim simbolik i z. Kamishi se është mirë të vriten policët serbë në Serbi, në krye të detyrës së vet, do të marrë më shumë vëmendje se një deklaratë - deri tani joekzistente - e ndonjë kolegu të tij në Kuvend të Kosovës nga radhët e partive politike shqiptare që do të deklarohet se është krejtësisht e papranueshme për një qytetar të Kosovës, kriminel a jo, që të vrasë një polic në Serbi.

Dukshëm në atë kiber-hapësirë të Facebook dhe “X” në formë konsistente ka hyrë edhe ligjërimi i fabrikave dezinformative të Rusisë, Iranit dhe Kinës, të cilat iu adaptuan modelit të biznesit: sa më të çmendura teoritë e konspiracionit rreth demokracive perëndimore, liderëve të tyre, marrëdhënieve ndëretnike apo racore, aq më shumë klikime, vëmendje dhe krijim vorbulle përsëritëse të gjuhës së urrejtjes.

3.

Por edhe ky - modeli i biznesit që tërheq patologji - nuk është problemi kryesor.
Problemin kryesor e krijoi Kongresi amerikan më 1996 kur e kaloi “Ligjin për mirësjelljen e komunikimit” (CDA) i cili në nenet 230 c 1 dhe 2 i trajton ofruesit e shërbimeve të platformave sociale si mjete teknike komunikimi dhe si të tilla me imunitet nga ndjekja ligjore. Pra Facebook, X, Youtube janë për mbi një çerekshekulli të trajtuara si një tel telegrafi apo si një receptor telefoni: ashtu si teli dhe aparati telefonik nuk mban përgjegjësi për porosinë që përçohet nëpërmjet telit, ashtu nuk mbajnë përgjegjësi Facebook a Twitter për çfarëdo komunikohet nëpërmjet tyre. Për më tepër, në emër të mungesës së përgjegjësisë nëpër këto platforma janë postuar artikujt e medieve profesionale dhe ndonëse janë klikuar, autorët e mediet ku këto janë botuar nuk kanë marrë asgjë nga të ardhurat e medieve sociale. Dhe, në biznes modelin e ri, tash pas çerek shekulli, del se është interes i medieve sociale që të mos ketë më medie profesionale.

Për një person si Elon Musk, platforma X paraqet mundësi të jashtëzakonshme të kontrollit të hapësirës publike. Biseda e tij me Donald Trumpin është pjesë e përkrahjes politike që i jep kandidaturës së tij, por është edhe ofrim i një modeli gazetarie jokritike e përkëdhelëse që është pjesë e sistemeve autoritare. Pakënaqësia eventuale e Muskut me modelin e multikulturalizmit në Perëndim merr përmasa të kontrollit të masave me hapjen e platformës X për teori konspiracioni, lajme të rremë dhe vjellje urrejtje në rastin e protestave të dhunshme të këtij muaji në Britani të Madhe. Pronari i X disa herë me radhë gjatë protestave, posaçërisht kur ato kërcënonin të shndërroheshin në kryengritje urbane të së djathtës ekstreme - për ligjërimin e së cilës kishte simpati dhe hapësirë në “X” - cicëronte vetë se “lufta qytetare është e pashmangshme”.

Facebook dhe X janë sot treguesit më të mirë të një kundërthënieje me fjalën “sociale”. Ato janë medie sociale pa përgjegjësi sociale.

4.

Viti 2024 mund të jetë fillimi i kthesës dhe fillimi i kthesës mund të jetë në Evropë.
Pas një çerek shekulli të konceptit “telefon” të Facebook dhe X, Bashkimi Evropian ka miratuar Aktin për Shërbime Digjitale (DSA). Komisionari, Thiery Bretton, i dërgoi letër Elon Muskut, para intervistës me D. Trump, duke ia tërhequr vërejtjen se si një Platformë Shumë e Madhe në Rrjet (Very Large Online Platform - emri zyrtar) ajo ”X”, me 300 milionë përdorues dhe ai personalisht me 190 milionë ndjekës janë përgjegjës për përmbajtjen eventuale prodhuese e riprodhuese të urrejtjes, racizmit e kështu me radhë. Letra përcakton në formë të qartë se “X” duhet t’i përmbahet ligjit evropian (ngase një e treta e përdoruesve janë në BE) dhe kjo nënkupton përgjegjësi për përmbajtjen (heqjen e asaj të dëmshme, masave verifikuese që të mos ketë postime të këtilla, etj).

Mbretëria e Bashkuar ka shkuar edhe një hap më tutje. Me Ligjin për Sigurinë Online, që hyn në fuqi në fund të këtij viti, u bëhen kërkesa të drejtpërdrejta përgjegjësie medieve sociale për moderimin e përmbajtjes. Madje, këto kërkesa marrin formën e përgjegjësisë së medieve për përmbajtje me vendosjen e dënimeve financiare për shkelje ligji. Dënimi për Facebook apo X që në kërcënimet e BE-së janë 6 për qind e të ardhurave vjetore në nivel botëror, në ligjin e Mbretërisë së Bashkuar janë dhjetë për qind të të ardhurave vjetore në nivel botëror. Për Mark Zuckenbergun e Facebookut kjo do të thoshte një dënim maksimal prej 13.5 miliardë dollarësh.

Mbretëria e Bashkuar, pas protestave të dhunshme të kësaj vere ka mbase një motivacion plotësues sigurie që të aplikojë me shpejtësi ligjin e vet, sapo të hyjë në fuqi.

Në rast se Akti evropian dhe Ligji britanik tregojnë efikasitetin e tyre, Kongresi i SHBA-së do të ketë para vetes tashmë dëshminë se Facebook dhe X nuk janë tela telefonie. Dhe se duhet hyrë në çerekshekullin e ardhshëm me diçka që është evidente - mediet sociale janë përgjegjëse për përmbajtjen që e transmetojnë.

5.

Në këtë çerek shekulli të ri, mediet sociale kanë bërë një revolucion; një pjesë padyshim të vlefshme për krijimin e hapësirës për t’u shprehur aty ku liria e shprehjes qe e cunguar - në shtete diktatoriale apo autokratike.

Por, siç do të komentojë Umberto Eco me hidhërim të dukshëm, efekti negativ i këtyre medieve sociale pa përgjegjësi sociale ishte i tmerrshëm në një pjesë bukur të madhe të botës.

“Mediat sociale u japin legjioneve të idiotëve të drejtën të flasin kur dikur flisnin vetëm në një bar pas një gote verë, pa dëmtuar komunitetin… por tani ata kanë të njëjtën të drejtë të flasin si një fitues i çmimit Nobel. Është pushtimi i idiotëve”.

Ndoshta në kontinentin evropian, shtëpinë e Ecos, tashmë mund të shohim fillimin e një kthese në kahe tjetër, asaj të përgjegjësisë./koha.net