Artan Fuga: Asnjë pushtet në Shqipëri nuk i reziston ndikimit nga vendet fqinje
Dritare.net
Nga Artan Fuga
Duan të shkruajnë një histori më të saktë të Shqipërisë?
Nuk bëhet me psikologji miu!
Nuk bëhet duke gërmuar për të gjetur fakte të vegjël në kashuna mbeturinash, a duke shkundur batanijet me pluhur të skedave të rilexuara edhe një herë!
Ore, unë i kam shkruar këto?
Nuk rishkruhet me fakte të reja të veckël si pordhka liliputësh, të mbledhur pa fund nga historia, me psikologjinë e miut që çfarë gjen, miza të ngordhura, kokërra gruri, kunja shkrepsesh, letra higjenike i mbledh në qoshen e vet të miut!
Nuk shkruhet historia me psikologji miu! Nuk shkruhet me fakte të vegjël pasi ke rishkundur si batanije ushtarësh skedinat e mbledhura kur ke qenë i ri, pa shumë tru. I ke mbledhur kot. Nuk bëjnë ato!
Historia rishkruhet me ide të reja, jo me fakte të vegjël si cigare të shkërmoqura dhe të harruara në xhupa zborri.
Ja për shembull them se sa herë që ndryshon qeverisja ose pushteti në Shqipëri, kjo ka ardhur si pasojë e ndryshimeve në pushtet ose në vendet fqinje, ose në shtetet e mëdhenj që na kanë mbajtur nën sqetull kohë pas kohe, ose nga ndryshimi i raportit gjeopolitik botëror.
Pse o, Perandori jemi ne që të kemi pushtet të pavarur nga pushtete nga të cilat varemi?
Nuk ka këllqe asnjë pushtet në Shqipëri t’i rrezistojë ndryshimit të pushteteve jashtë Shqipërisë! Po ashtu, pa humbur mbështetjen nga jashtë asnjë pushtetar shqiptar nuk e lëshon frerin e kapistallit të gomarit a kalit ku ka hypur, që janë shqiptarët!
Kjo është Shqipëria, një thërrime e vogël, kullufitet shpejt. Lëre delirin se “jo po ne”, “se ne”, “sepse ne”, etj.
Bëri aleancë Duçja me Hitlerin, “fluturoi” Zogu, mbreti e kam fjalën.
Më parë, Luftërat Balkanike, u mbyt Plaku i Vlorës.
Më parë, u fundos anija osmane, trecereku i territoreve banuar me Shqiptarë ikën për lesh! Na i keni marrë me forcën e turqëve – na thanë!
U prish Titua me Stalinin, i iku Enveri pushtetit të jugosllavëve ku po e linte Shqipërinë. Lëre ç’thonë budalliqe, jo plenumi, jo kongresi, jo leshi, jo preshi!
Vdiq Stalini, erdhi Hrushovi, Enverin për pak e kthyen në 1956 me kokë poshtë në Konferencën e Tiranës. Nisi vrasjet dhe izolimin, shyqyr që gjet Maon andej nga manastiret budiste se ndryshe do ta kishin varur në mes të Tiranës, jo si monument, por si njeri.
Erdhi Gorbi në Moskë, u fshinë 45 vjet socializëm fshataresk në Shqipëri.
Erdhi përsëri e majta e Klintonit në Amerikë, Berishën për pak sa nuk e zunë në çark në Presidencë të zhgënjyerit e Sudes, Xhaferrit, dhe avokatit të Popullit.
Erdhi Bushi Junior në Amerikë, fluturoi Fatosi, o ik përsëri në Bënçë, o ik në migrim. Erdhi prof. Berisha i dytë!
Një fjali i erdhi doktorit: je non grata, nga Bideni, ikën në det 30 vjet parti demokratike, lëre se ç’a thuhet, jo Himara, jo Kamza, jo vula, jo amza…
Kaq e ka pushteti në Shqipëri: Dy gisht letër, thoshte gjyshi im, ardhur si telegram: Ti nuk do të jesh më! Fluturon nga penxherja e katit të pesëmbëdhjetë!
Kthejuni, kthejuni, simbolit të Ali Pashait! E kam thënë plot herë! Bëjini një përmendore atij, një shtatore, duke ecur i gjakosur në qafën e këputur, me kokën e tij në dorë!
Ai është filozofia e pushtetit në vendin tonë të vockël!
Kush shkëputet nga dinamikat e pushteteve jashtë Shqipërisë, nuk ka gjë në trastë!
Ja, pra, mos bëni historinë me psikologji brejtësi,… miu, desha të them!/Marrë nga Facebook-u i autorit