Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot zgjedhjet në OKB. Shqipëria pritet të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit!

Sot zgjedhjet në OKB. Shqipëria pritet të bëhet anëtare

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për të zgjedhur 5 anëtarë jo të përhershëm të Këshillit të Sigurimit.

Këshilli i Sigurimit, një organ i OKB-së me kompetenca të fuqishme, përbëhet nga 15 anëtarë, 5 prej të cilëve të përhershëm, ShBA, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Kina, si dhe 10 anëtarë jo të përhershëm, me një mandat dy vjeçar.

Shqipëria, Brazili, Gaboni, Gana dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë në garë, pa konkurentë nga rajonet përkatëse, për 5 vendet. Por për t’u zgjedhur, secila prej tyre duhet të sigurojë dy të tretat e votave të vendeve anëtare të OKB-së. Votimi është i fshehtë.

Edhe pak orë dhe Shqipëria mund të bëhet anëtare e Këshillit të Sigurimit në Kombet e Bashkuara, që do të ishte një prej arritjeve më të mëdha në diplomacinë ndërkombëtare nga ana e shtetit tonë. Në New York, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, pritet të votojë për 5 shtetet e reja të cilat do të jenë anëtare jo të përhershme të Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023.

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ndodhet në New York. Ditën e djeshme Xhaçka është pritur nga përfaqësuesit e përhershëm të 5 vendeve anëtare me të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit, me përfaqësuesit e përhershëm të atyre vendeve që për dy vitet e ardhshme do shërbejnë në Këshill së bashku me Shqipërinë, si dhe me një numër përfaqësuesish të përhershëm të vendeve të tjera.

Zakonisht shtetet e shpallin kandidaturën e tyre për Këshillin e Sigurimit vite më parë. Por ndodh që ka edhe vende që konkurrojnë në momentet e fundit. Këtë vit, Republika Demokratike e Kongos vendosi muajin e kaluar të vinte kandidaturën, duke vënë në dyshim anëtarësimin pothuajse të sigurtë për dy shtetet e tjera afrikane, Gabonin dhe Ganën. Megjithatë këtë javë, njoftimet nga Afrika vinin në dukje se Presidenti i Republikës Demokratike të Kongos, Felix Tshisekedi ka vendosur ta tërheqë kandidaturën.

Këshilli i Sigurimit merret me paqen dhe sigurinë ndërkombëtare. Ai ka kompetenca të dërgojë paqeruajtës në rajone të trazuara, si dhe të miratojë sanksione. Mandati i antarëve të rinj fillon më 1 janar. Pesë shtetet e tjera në grupin e 10 anëtarëve jo të përhershme janë India, Irlanda, Kenia, Meksika dhe Norvegjia./dritare.net