Zbardhet dosja/ Si e realizoi arratisjen Altin Ndoci!
Dritare.net

Që prej vitit 2020 kur Ndoci u vendos në burgun e Durrësit e deri në vitin 2024, ishte shoqëruar katër herë në spital, për problem të ndryshme shëndetësore.
Ndërsa, që nga 8 tetori i kaluar, deri ditën e arratisjes ai është shoqëruar jashtë burgut për vizita mjekësore, plot 5 herë, 3 nga të cilat kur drejtimi i Institucionit i paraburgimit të Durrësit, I ishte besuar Indrit Cerlojit, aktualisht në arrest me burg, nën dyshimet për shpërdorim detyre, për rastin e arratisjes së Ndocit.
1. në datë 08.10.2025-Drejtor Institucioni Ervis Dedej,
2. në datë 24.10.2025-Drejtor Institucioni Edmond Llabani (i komanduar),
3. në datë 26.11.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
4. në datë 18.12.2025-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
5. në datë 13.01.2026-Drejtor Institucioni Indrit Cerloj
Prokuroria dyshon se vizitat janë realizuar pa patur nevojë për konsulta mjekësore jashtë burgut.
“Duke marrë në konsideratë rritjen e frekuencës së daljeve në një periudhë relativisht të shkurtër dhe duke e krahasuar me historikun e mëparshëm të daljeve të tij për spital, ekziston dyshimi i arsyeshëm se këto planifikime për vizita mjekësore për në spital që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026 janë fiktive”, është shprehur Prokuroria në dosjen e saj hetimore.
Një tjetër element i dyshimtë është dhe fakti se daljet e Ndocit për në spital, nuk janë regjistruar sipas procedurave.
“Nga verifikimet e deritanishme ka rezultuar se për daljet nga IEVP të të burgosurit Altin Ndoci që përkojnë me periudhën tetor 2025-janar 2026, në asnjë rast nuk është pasqyruar në komunikatën e aktivitetit ditor të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe në asnjë rast nuk është informuar Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve”.
Rasti i Ndocit nuk duket të jetë një episod i izoluar, në burgun e Durrësit ku nuk kanë munguar favoret ndaj të paraburgosurve, kundrejt pagesave në para.
“Nga informacionet e përftuara në kohë nga SHKBB (Shërbimi I Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve) rezulton se shpeshherë shoqërimi për spital i të burgosurve që kanë rrezikshmëri të lartë shoqërore si dhe me gjendje të mirë ekonomike, dyshohet se kryhet për t'iu mundësuar favore të ndryshme (kryesisht takime speciale) këtyre të burgosurve, kundrejt dhënies së ryshfetit Drejtuesve të institucioneve dhe personelit përkatës”, shkruhet në dosjen e Prokurorisë.
Altin Ndoci u dërgua në spitalin e Durrësit, pa kryer më parë një vizitë nga mjekja e burgut, e cila sipas prokurorisë kishte firmosur rekomandimin, vetëm me kërkesë të kryeinfermiet Altin Cuku. Ai u transportua me ambulancën e burgut, së bashku me një të paraburgosur tjetër, dhe vetëm në shoqërinë e 5 punonjësve të sigurisë, në shkelje flagrante të protokolleve që parashikojnë një minimum prej 3 punonjësish për secilin të burgosur. Për me tepër ndonëse i dyshuar për vepra të rënda penale, mes të cilave dhe vrasje, Ndoci ishte vlerësuar si një person pa rrezikshmëri të lartë, e që nuk do mund të tentonte arratisjen./shqiptarja.com