
Ambasadorja Kim takim me të rinjtë: Ju jeni ata që do të sillni ndryshimin!
Dritare.net
Ambasada Amerikane në Tiranë përmes një postimi në rrjetet sociale ka bërë publik mesazhin e ambasadores Yuri Kim për sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë.
Sipas ambasadores, të rinjtë janë ata që sjellin ndryshimin në Shqipëri dhe duhet të mbrojnë të drejtat e tyre.
“‘Ju jeni ata që sjellin ndryshimin. Kur mbroni të drejtat tuaja, udhëhiqni fushata, dilni vullnetarë në komunitetet tuaja dhe votoni në zgjedhjet tuaja, ju keni ndikim dhe jepni kontribut për një të ardhme ku shqiptarët kanë mundësinë të lulëzojnë’, tha Ambasadorja Yuri Kim.
Kjo deklarate u be gjatë bisedimit mbi pjesëmarrjen qytetare, sfidat me të cilat përballen të rinjtë shqiptarë kur bashkohen me forcën punëtore dhe pjesëmarrjen e të rinjve në proceset demokratike me anëtarët shqiptarë të Rrjetit Rinor Europian të Demokracisë (EDYN) të USAID/Albania.
Presidentja e EDYN, Juela Hamati, drejtoi diskutimin gjatë të cilit Ambasadorja Kim theksoi vlerën e pjesëmarrjes rinore në Shtetet e Bashkuara dhe i nxiti këta të rinj shqiptarë të vazhdojnë të jenë avokatë për një të ardhme më të ndritur e më të zhvilluar në Shqipëri", shkruan Ambasada Amerikane./dritare.net

















