Vrasja e policit në Maliq, Skënder Hita: Nuk kisha dijeni për operacionin
Dritare.net

Në një konferencë për shtyp të zhvilluar krah ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, drejtori i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë të ditur se ka nisur një hetim për procedurat e ndjekura në operacionin për kapjen e Violand Braçellarit, i dyshuar si autor i vrasjes së efektivit të policisë në Maliq të Korçës.
Hita deklaroi se është urdhëruar Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit që të verifikojë të gjitha procedurat standarde të ndjekura gjatë operacionit dhe mënyrën se si është menaxhuar aksioni për lokalizimin e të kërkuarit.
“Kam urdhëruar Drejtorinë e Përgjithshme për të nisur hetim për procedurat standarde për punën që është kryer për kapjen e këtij shtetasi në kërkim dhe pse Drejtoria e Korçës s’ka kërkuar ndihmë nga forcat RENEA dhe të Sigurisë. Grupi hetimor po vijon punë për dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”, tha Hita.
Sipas tij, hetimi do të fokusohet edhe në mënyrën e koordinimit të strukturave vendore me ato qendrore të policisë, si dhe në arsyet pse nuk është kërkuar ndërhyrja e forcave speciale RENEA në këtë operacion./K.C/dritare.net