Vrasja e policit/ NATO: Do të shtojmë forcat e KFOR-it në Kosovë
Dritare.net
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg njoftoi sot se është marrë vendimi për shtimin e numrit të forcave të NATO-s në Kosovë. Komunikimi i shefit të NATO-s u bë publik sot pas mbledhjes së Këshillit të Atlantikut të Veriut ku u diskutua për situatën në Kosovë.
“Që nga maji, ne kemi përmirësuar praninë dhe qëndrimin e KFOR-it. Vetëm dje Këshilli i Atlantikut të Veriut autorizoi forca shtesë për të adresuar situatën aktuale. Ne gjithmonë do të vazhdojmë të sigurohemi që komandanti ynë të ketë burimet dhe fleksibilitetin e nevojshëm që KFOR-i të përmbushë mandatin e tij. Ne jemi të gatshëm të bëjmë rregullime të mëtejshme në qëndrimin e KFOR-it sipas nevojës.", u shpreh Stoltenberg.
“KFOR-i”, tha ai, “vazhdon të koordinohet ngushtë me të gjitha palët relevante të interesit në Kosovë dhe Serbi, si dhe me EULEX-in, OSBE-në, UNMIK-un dhe komunitetin diplomatik. U bëjmë thirrje të gjitha palëve që urgjentisht të de-përshkallëzojnë. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, si mënyra e vetme për të zgjidhur çështjet e pazgjidhura dhe për të arritur zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve. Ky është çelësi për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin në rajon”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg./K.C/dritare.net