Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Virusi HMPV/ A rrezikojmë një pandemi të dytë? Flet Ilir Alimehmeti!

Virusi HMPV/ A rrezikojmë një pandemi të dytë? Flet Ilir

Një virus i ri, i njohur si HMPV (Human Metapneumovirus), ka filluar të përhapet në disa vende, duke shkaktuar shqetësim global. Pas raportimeve të para në Kinë, një rast i konfirmuar është regjistruar edhe në Greqi.

Siç raportohet HMPV prek kryesisht rrugët e frymëmarrjes dhe shkakton simptoma si ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje, të cilat shpesh ngatërrohen me virozat sezonale apo gripin. Situata ka ngritur pyetje për rrezikun e përhapjes së virusit në rajon dhe masat që duhet të merren për të parandaluar këtë.

Për të sjellë një analizë profesionale dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve kryesore në Dritare TV ishte i ftuar epidemiologu i njohur, Ilir Alimehmeti.

I cili tha për gazetaren Eda Preka se lajmet që po qarkullojnë janë të rreme dhe virusi HMPV nuk ka kapacitetin për tu kthyer në pandemi.

Pjesë nga intervista:

“Titujt ndërkombëtarë që flasin për një virus të ri të quajtur HMPV janë të pavërteta. HMPV-ja nuk është një virus i ri. Është një virus që njerëzimi e ka identifikuar në vitin 2001 në një laborator në Hollandë. Vlen të theksohet se ky virus ka ekzistuar edhe më parë se viti 2001, thjesht në atë vit është zbuluar. E njohim shumë mirë, nuk është i ri.

Simptomat:

Ky virus jep të njëjtat simptoma me gripin sezonal, transmetohet po njësoj si gripi, dhe mundësitë e komplikacioneve janë po të njëjta me gripin e tipit A. Është një virus që nuk përbën hapësirë për panik. Ky virus ka qenë gjithmonë i pranishëm mes nesh, ai qarkullon çdo dimër.
Të gjitha lajmet që po qarkullojnë këto kohë janë lajme të rreme nga shkenca. Duhet pasur parasysh që nuk duhet marrë antibiotikë për asnjë virozë, është e gabuar, është një mesazh që duhet ta përhapim, pasi nuk shëron asgjë, por i shkakton dëm shëndetit.

Trajtimi dhe vaksina:

Sa i përket trajtimit, gripi ka një vaksinë të veçantë, kurse HMPV nuk ka as vaksinë e as trajtim antiviral. Ky grip kalon për 4-5 ditë.

Rastet në rajon:

"Edhe lajmi në Selanik është gënjeshtër, nuk ka një rast të parë, nuk ekziston si koncept. Edhe në Tiranë, po t’i marrësh dhe t’i bësh analizat tani, dalin mjaftueshëm HMPV, thjesht nuk e kanë kërkuar dhe nuk e kanë gjetur. Tani po e kërkojnë. HMPV-ja është një virus që ka qenë gjithmonë, nuk është vetëm në Kinë.”

A rrezikojmë një pandemi të dytë?

“Jo nga ky virus. Ky virus nuk e ka këtë kapacitet për të krijuar një pandemi.”- u shpreh epidemiologu Ilir Alimehmeti./E.P-dritare.net