Veliaj në GJKKO: Vendosja ime në një kafaz, trajtim poshtërues!
Dritare.net

Erion Veliaj deklaron se mbajtja e tij në paraburgim dhe vendosja në “kafaz” në sallën e gjyqit është trajtim degradues, poshtërues dhe në kundërshtim me Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (nenet 3 dhe 6). Sipas tij, kjo mënyrë trajtimi cenon dinjitetin, prezumimin e pafajësisë dhe i pamundëson komunikimin e efektshëm me avokatët dhe pjesëmarrjen reale në proces.
Ai thekson se prej muajsh i janë mohuar të drejta themelore, sidomos e drejta për t’u njohur me aktet e dosjes, e cila përmban rreth 60 mijë faqe. Për shkak të kushteve të paraburgimit dhe ndalimit të pajisjeve elektronike, Veliaj thotë se nuk ka lexuar asnjë faqe nga dosja, çka, sipas tij, e bën të pamundur përgatitjen e mbrojtjes dhe shkel rëndë të drejtën për proces të rregullt ligjor.
Në fund, ai paraqet tre kërkesa konkrete para gjykatës:
Heqjen e menjëhershme të vendosjes në kafaz në sallë gjyqi.
Vënien në dispozicion të plotë dhe të aksesueshme të dosjes.
Shtyrjen e procedurës derisa t’i garantohet plotësisht e drejta për mbrojtje.
Ai e përmbyll fjalën duke theksuar se kërkon vetëm respektimin e të drejtave themelore si qytetar dhe se drejtësia nuk mund të ndërtohet mbi poshtërim dhe pengim të mbrojtjes./L.F-dritare.net