Vdes mjeshtri i analizave të ADN, prof.Grigor Zoraqi
Dritare.net
Është ndarë nga jeta një nga emrat më të shquar të bioteknologjisë dhe gjenetikës shqiptare, profesor Grigor Zoraqi. Lajmin e hidhur e ka bërë të ditur Akademia Shqiptare e Shkencave. Zoraqi njihej edhe si “mjeshtri” i analizave të ADN-së.
“Ndarja e tij nga jeta është humbje e madhe jo vetëm për njerëzit e dashur të familjes, për Akademinë e Shkencave dhe të gjithë bashkëpunëtorët dhe shkencën shqiptare.”,- thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.
Grigor Zoraqi ka lindur dhe është rritur në Tiranë. Pasi përfundoi gjimnazin ‘Petro Nini Luarasi’, vazhdoi në Romë në Universitetin ‘La Sapienza’, si bursist i Qeverisë Italiane. Në vitin ’79-’85 vazhdoi për Shkenca Biologjike, me drejtim Biologji Molekulare. Nga 1987-1991 bëri doktoraturë në Laboratorin e Gjenetikës së Fakultetit të Veterinarisë, Universiteti Bujqësor i Tiranës. Fitoi titullin Kandidat i Shkencave (më vonë i njohur si Doktor i Shkencave) në shtator 1991. Në 2007 ka marrë titullin Profesor i Asociuar. Nga përvoja profesionale përmendim se ishte Kërkues shkencor në Departamentin e Mjekësisë Eksperimentale dhe Patologjisë së Përgjithshme të Universitetit të Romës “La Sapienza”, në Institutin e Teknologjisë Biomjeksore, në tre laboratorë dhe në Qendrën Kombëtare të Sëmundjeve Gjenetike në Itali. Nga 2004 e në vazhdim, ishte gjenetist dhe drejtues i Qendrës së Diagnostikës Molekulare dhe Kërkimeve Gjenetike tek “Mbretëresha Geraldinë” në Tiranë. Në 2005 e më tej ishte pedagog i jashtëm në Fakultetin e Shkencave Natyrore, UT. Nga viti 2007 ishte anëtar i Bordit Editorial të revistës, Balkan Journal of Medical Geneti./K.C./dritare.net