Vangjel Dule: BE të ndërhyjë, po bëhet shkelje në procesin e Censit për minoritetin grek!
Dritare.net
Kreu i PDBDNJ, Vangjel Dule në një deklaratë për mediat ka komentuar procesin e censit për regjistrimin e popullsisë dhe banesave, tek minoriteti grek.
Dule me tone të ashpra tha se personat përgjegjës për procesin e censit nuk po kryejnë detyrën pasi nuk po regjistrojnë deklaratën e qytetarëve në lidhje me përkatësinë etnike dhe besimin fetar.
Sakaq shtoi se INSTAT duhet të ndërhyjë urgjentisht që të shpëtojë procesin që rrezikon të shndërrohet në një farsë, pasi sipas tij qytetarët kanë të drejtë të deklarojnë vullnetin e tyre mbi përkatësinë etnike, besimin fetar dhe gjuhën amtare.
“Ka shumë raste kur regjistruesit në kundërshtim me ligjin nuk kryejnë regjistrimin në tableta por mbajnë shënime, kjo përben shkelje të rëndë të procedurës. Nuk lihet shënim me shkrim siç e kërkon ligji në banesat ku nuk gjendet një qytetar. Kemi raste të denoncuara ku nuk u drejtohen qytetarëve, pyetjet në përkatësinë etnike për gjuhën amtare dhe besimin fetar. Qytetarët kërkojnë të deklarojnë dhe këto elemente por i thuhet se këto janë fakultative, është e detyrueshme regjistrimi i përgjigjes. Kemi të bëjmë me shkelje flagrante që janë shoqëruar edhe me një retorikë agresive, nacionaliste në shumë media, duke ngritur kërcënime hipotetike pa qenë.
Është për të ardhur keq që ngrihen shqetësime të tilla që vihen në kundërshtim me frymën evropiane, qytetarët duhet të deklarojnë nëse është vullneti i tyre përkatësia etnike, besimi fetar dhe gjuhën. INSTAT duhet të ndërhyjë urgjentisht që të shpëtojë procesin që rrezikon të shndërrohet në një farsë. Edhe BE duhet ta ndjekë këtë proces në vazhdimësi, të shmangin çdo aspekt negative që mos të jetë i dështuar për komunitete etnike dhe fetare”, tha Dule./M.K-dritare.net