Trupi i Alexei Navalny, i kthehet nënës me një kusht!
Dritare.net
Trupi i Alexei Navalny i është kthyer nënës së tij. Në një postim në X, zëdhënësja e Navalny, Kira Yarmysh falënderoi të gjithë ata që kishin kërkuar kthimin e trupit të tij. Funerali i tij nuk është bërë ende.
Më herët nënës së Navalny i është thënë të pranonte kushtin që i biri të varrosej në një ceremoni të fshehtë, përndryshe ai do të varrosej në burgun ku vdiq.
"Ne nuk e dimë nëse autoritetet do të ndërhyjnë që funerali të kryhet ashtu siç dëshiron familja dhe siç e meriton Alexei”, tha zëdhënësja.
Më herët të shtunën, e veja e Navalny, Julia, akuzoi Vladimir Putinin se mbante "peng" trupin e burrit të saj të ndjerë dhe kërkoi lirimin e tij pa kushte.
Ajo akuzoi sërish presidentin rus se qëndron pas vdekjes së bashkëshortit të saj.
Kremlini i ka mohuar akuzat. Navalny vdiq më 16 shkurt në një burg rus./L.F-dritare.net