
Thaçi pas vendimit të kushtetueses: Të formohet qeveria e re!
Dritare.net
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka reaguar pasi Gjykata kushtetuese, i ka dhënë të drejtë për dekretin, për të mandatuar Abdullah Hotin në postin e kryeministrit.
Thaçi ka thënë se ka qenë i bindur se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën në momentin që ka dekretuar Avdullah Hotin e LDK-së për kryeministër.
“E mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit tim për mandatimin e z. Hoti, kandidat për kryeministër. Kam qenë i bindur se çdo hap që kam ndërmarr ishte në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe më vjen mirë që këtë e konfirmoi edhe Gjykata Kushtetuese. Partitë politike dhe të gjitha institucionet duhet të tregojnë pjekuri politike, respekt dhe përkushtim për rendin, ligjin dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Ato duhet t’i respektojnë, pranojnë dhe zbatojnë vendimet e autoritetit përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve e akteve të tjera me Kushtetutën”, ka shkruar Thaçi.
Ai ka thënë se Kosovën e presin shumë sfida dhe se për këtë nuk duhet humbur kohë në formimin e qeverisë së re.
“Kosovën e presin shumë sfida përpara, prandaj tash nuk duhet të humbet më kohë për formimin e Qeverisë së re, me legjitimitet të plotë nga Kuvendi i Kosovës”, ka shkruar Thaçi./ I.M-Dritare.net

















