
Tensionet në veri të Kosovës/ Rama thirrje Kurtit: Mos u fut më thellë në këtë shteg të rrezikshëm!
Dritare.net
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas situatës së tensionuar në Veri të Kosovës. Përmes një postimi në Twitter, Rama thekson se përgjegjësia për plagosjen e ushtarëve të KFOR-it është e dhunuesve. Kreu i qeverisë i bën thirrje Albin Kurtit, që të mos futen më thellë në këtë shteg të rrezikshëm ku sipas tij Kosova po dëmtohet ndërkombëtarisht, por po lëndohen edhe ushtarët e KFOR.
“Thirrja ime për t’i dëgjuar me vëmendje ata aleatë e për të mos u futur më thellë në shtegun jo vetëm të rrezikshëm, po edhe të kotë ku Kosova po lëndohet ndërkombëtarisht bashkë me ushtarët e KFOR-it që po lëndohen fizikisht, s’është thirrje ndërkombëtare po nevojë kombëtare.
Nga ky udhëkryq ku konflikti kthehet e rikthehet çdo vit si produkt i të shkuarës, me Serbinë që ekspozon trupat në kufirin ku fuqia e saj është e barabartë me zero dhe Kosovën që ekspozon ngurrimin e saj për të finalizuar dialogun, dilet vetëm me dialog e me aleatë të fuqishëm!
Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, shkruan Rama./K.C/dritare.net

















