Tensionet në kulm/ Franca nxjerr ushtrinë në Mesdhe, Izraeli krah Greqisë!
Dritare.net
Tensionet mes Greqisë dhe Turqisë kanë arritur kulmet ditët e fundit, pasi Turqia mësohet se ka shkelur Zonën Ekonomike Ekskluzive të Greqisë, një zonë kjo e diskutueshme mes dy vendeve.
Shtetet e botës kanë filluar që qartasi të mbajnë krah në këtë përplasje diplomatike mes Athinës zyrtare dhe Ankarasë.
Franca do të rrisë praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor, tha Presidenti Emmanuel Macron të mërkurën, duke i bërë thirrje Turqisë të ndalojë kërkimet e naftës dhe gazit në ujërat greke.
Udhëheqësi francez shprehu shqetësimin për eksplorimin “të njëanshëm” nga Turqia në një telefonatë me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis, tha zyra e Macron në një deklaratë, duke shtuar se kërkimi duhet të “pushojë në mënyrë që të lejojë një dialog paqësor” midis palëve.
Franca do të “forcojë përkohësisht” praninë e saj ushtarake në Mesdheun lindor, thuhet në deklaratë.
Edhe qeveria izraelite është radhitur në krah të Greqisë.
Në një deklaratë, qeveria e Netanyahut theksoi se i qendronte “në krah Greqisë, në të drejtën e saj për të patur Zonën Ekskluzive Ekonomike të vetë sipas konventave ndërkombëtare”, duke theksuar ndërkohë se palët duhet të gjejnë rrugën e arsyetimit dhe të vijojnë me negociata.
Turqia dhe Greqia janë në një përplasje të ashpër sa i përket sovranitetit mbi hapësirën detare mes Qipros dhe ishullit të Rodosit, kur turqit theksojnë se “Greqia nuk mund t’i burgosë në tokë”, ndërsa grekët pretendojnë se janë konventat ndërkombëtare që minimizojnë Zonën Ekskluzive Ekonomike të Turqisë në Egje.
Më herët, Greqia dhe Egjipti nënshkruan marrëveshjen detare mes tyre duke ndarë pikërisht zonën në fjalë, gjë e cila shkaktoi reagimin e fortë të Turqisë, e cila tha se nuk e njeh këtë marrëveshje, dhe dërgoi atje disa anije dhe nëndetëse që rindezën konfliktin./ I.M-Dritare.net