
Të mbijetuarit nga bombat atomike në Hiroshima dhe Nagasaki fitojnë çmimin Nobel për Paqe
Dritare.net
Nihon Hidankyo, një grup japonez i të mbijetuarve nga bomba atomike, ka fituar Çmimin Nobel për Paqen 2024.
Të njohur si hibakusha, të mbijetuarit e bombardimeve të vitit 1945 në Hiroshima dhe Nagasaki janë njohur nga Komiteti Norvegjez i Nobelit për përpjekjet për të çliruar botën nga armët bërthamore.
Kryetari i Komitetit të Nobelit Joergen Watne Frydnes tha se grupi "kishte kontribuar shumë në krijimin e tabusë bërthamore."
Frydnes paralajmëroi se "tabuja bërthamore" tani ishte "nën presion" dhe vlerësoi përdorimin e dëshmive të dëshmitarëve nga grupi për të siguruar që armët bërthamore të mos përdoren më kurrë.
E themeluar në vitin 1956, organizata dërgon të mbijetuar në mbarë botën për të ndarë dëshmitë e tyre për "dëmtimin mizor" dhe vuajtjet e shkaktuara nga përdorimi i armëve bërthamore, sipas faqes së saj të internetit.
Puna e tyre filloi pothuajse një dekadë pas shkatërrimit të Hiroshimës dhe Nagasakit.
Më 6 gusht 1945, një bombardues amerikan hodhi një bombë me uranium mbi qytetin e Hiroshimës, duke vrarë rreth 140,000 njerëz. Tre ditë më vonë një armë e dytë bërthamore u hodh në Nagasaki. Dorëzimi i Japonisë, i shpallur nga perandori Hirohito pak më vonë, i dha fund Luftës së Dytë Botërore.
Çmimi, i cili përbëhet nga një diplomë, një medalje ari dhe një shumë prej 1 milion dollarësh (765,800 £) do të jepet në një ceremoni në Oslo në dhjetor, duke shënuar përvjetorin e vdekjes së shkencëtarit dhe krijuesit të çmimit Alfred Nobel./K.C/dritare.net

















