Në pjesën e tretë të emisionit për Beratin, gazetarja Rudina Xhunga ka dy sugjerime për ata që duan të shkojnë në Berat, por s’dinë çfarë të shikojnë e shijojnë. Sugjerimi i parë është “Ballkoni i Beratit” ku e ke Beratin në pëllëmbë të dorës dhe i dyti ëmbëlsirën “Mont Blanc”, që të shtrin përtokë nga ëmbëlsia.
Rudina Xhunga: Ec e ec për të ardhur nga Berati te Ballkoni i Beratit, nga këtu i shikon të gjitha. Ju i thoni Ballkoni i Beratit, edhe unë jam tek Lisi, që ju Kamber e quani 250 vjeçar por në fakt është mbi 270 vjeçar. Është lisi i Prokopisë. Këtu po të ra një lente lisi në kokë të vjen pare e madhe, mua sa po më ra një. Prandaj vijnë te ky lisi. A bëjnë ndonjë adet këtu, e prekin apo vetëm e shikojnë, bëjnë fotografi?
Kamberi: Jo, jo.
Rudina Xhunga: Po shkoni more shkoni, prekeni.
Kamberi: E kemi të shenjtë.
Rudina Xhunga: Në fakt kjo ka ndodhur, kështu shkruan këtu që banorët e zonës, të fshatit Paftal të Beratit, fshatit rrëzë Shpiragut, nuk e kanë prekur kurrë këtë lis, e kanë lënë kështu siç është. Vetëm është mirëmbajtur. Dhe ti këtu ke bërë restorantin te Ballkoni i Beratit. Po mirë përveçse të shohësh lisin, çfarë mund të hash këtu te ti? Këtu te oxhaku në dimër?
Kamberi: Këtu në dimër te oxhaku, preferohet mishi i qengjit, zogjtë.
Rudina Xhunga: Të zonës të gjitha?
Kamberi: Po të gjitha të zonës.
Rudina Xhunga: Ullinjtë e zonës, djathi, çfarë nuk keni këtu.
Kamberi: Edhe të gjitha llojet e frutave të sezonit i kemi.
Rudina Xhunga: Të gjitha. Kjo është nga sezonet më të bukura të Beratit, fundi i vjeshtës, fillimi i dimrit. Që mund të dalësh me këmishë dhe të futesh këtu te restorantet e Paftalit, dhe të vish te Ballkoni i Beratit, dhe të bësh fotografi. Vijnë shumë këtu, nga Tirana, Berati?
Kamberi: Po vijnë shumë, nga të gjitha rrethet.
Rudina Xhunga: Sot pamja nuk duket mirë, siç duket nuk është dita e duhur për të parë Tomorin.
Kamberi: Këtu përballë nesh dallohet komplet edhe Berati, se ndaj ia kemi vënë këtë emër Ballkoni i Beratit.
Rudina Xhunga: Vetëm hajde dhe shijoje, se nuk shikohet Berati vetëm në Berat. Çfarëdo të kesh ngrënë e ngado te kesh ardhur nga dreka, kur të vijë pasditja, duhet patjetër të provosh ëmbëlsirën e Beratit. Ëmbëlsira e Beratit, është franceze, quhet “Mont Blanc”.
“Mont Blanc i Beratit”. E solli një kuzhinier i turizmit të Beratit, në vitet ’70, edhe ngeli këtu për të mos ikur kurrë. Që atëherë në turizmin e Beratit, ka vetëm “Mont Blanc”. Janë të gjitha, siç është torta e turizmit e të tjera siç ka në çdo turizëm Shqipërie, por “Mont Blanc” ngeli. Kjo receta që të shtrin përtokë, aq e ëmbël është. Me të bardha vezësh të rrahura dhe ajkë qumështi, por ama ta hash shton aq shumë kile, duke ngrënë “Mont Blanc” sa edhe kënaqësi. Kënaqësinë për “Mont Blanc” e Beratit. Kur të vish në Berat, mos e harro, kërkoje!/dritare.net