Na ndiqni edhe në

Shëndet

Studimi: Menopauza shkakton ankth dhe ndryshime në tru të ngjashme me Alzheimerin

Studimi: Menopauza shkakton ankth dhe ndryshime në tru të ngjashme me

Burimi: BBC

Menopauza lidhet me ndryshime në tru të ngjashme me ato që shihen në sëmundjen e Alzheimerit, sipas një studimi të madh në Mbretërinë e Bashkuar. Humbja e lëndës gri në zonat e trurit që lidhen me kujtesën dhe emocionet mund të shpjegojë pjesërisht pse gratë, në përgjithësi, kanë rrezik më të lartë për demencë sesa burrat, thonë studiuesit, përcjell dritare.net.

Gjetjet bazohen në të dhënat e afro 125 mijë grave, nga të cilat 11 mijë iu nënshtruan skanimeve të trurit me rezonancë magnetike (MRI).

Në studimin e publikuar në revistën Psychological Medicine, përdorimi i terapisë zëvendësuese hormonale (HRT) nuk rezultoi të parandalojë humbjen e lëndës gri.

Profesorja Barbara Sahakian, autore e lartë e studimit nga Universiteti i Cambridge, tha:

“Zonat e trurit ku vumë re këto ndryshime janë ato që zakonisht preken nga sëmundja e Alzheimerit. Menopauza mund t’i bëjë këto gra më të cenueshme në të ardhmen. Edhe pse nuk është i vetmi faktor, kjo mund të ndihmojë në shpjegimin pse shohim pothuajse dyfish më shumë raste të demencës te gratë sesa te burrat.”


Ndryshimet në tru u konstatuan në:

hipokampus – zonë me rol kyç në të nxënit dhe kujtesë
korteksin entorhinal – zonë thelbësore për formimin e kujtimeve dhe orientimin hapësinor
korteksin cingulat anterior – pjesë që ndihmon në përqendrim dhe rregullimin e emocioneve

Lënda e bardhë dhe lënda gri janë pjesë thelbësore të trurit dhe palcës kurrizore. Lënda gri përbëhet nga trupat qelizorë të neuroneve dhe dendritet e tyre, zgjatime të shkurtra që komunikojnë me neuronet përreth. Lënda e bardhë përbëhet nga aksonet e gjata të neuroneve që transmetojnë impulse drejt zonave më të largëta të trurit dhe palcës kurrizore.

Kërkoni ndihmë!

Sipas udhëzimeve të NHS-së (Shërbimi Shëndetësor Kombëtar britanik), terapia zëvendësuese hormonale mund të merret në konsideratë për simptoma të menopauzës si problemet me gjumin dhe afshet e nxehta. Studiuesit theksojnë se ende ka njohuri të kufizuara mbi efektet e menopauzës dhe përdorimit të HRT-së në tru, kujtesë dhe humor.

Studimi zbuloi se gratë që merrnin HRT kishin më shumë gjasa të përjetonin probleme të shëndetit mendor. Megjithatë, shumë prej tyre kishin pasur probleme të tilla edhe para se t’u përshkruhej terapia.

Bashkëstudiuesja Dr. Christelle Langley tha se është e rëndësishme të njihet shumëllojshmëria e vështirësive që mund të shoqërojnë menopauzën.

“Ne të gjithë duhet të jemi më të ndjeshëm jo vetëm ndaj shëndetit fizik, por edhe ndaj shëndetit mendor të grave gjatë menopauzës. Nuk duhet të keni turp t'u tregoni të tjerëve çfarë po kaloni dhe kërkoni ndihmë.”

Profesor Channa Jayasena, ekspert i hormoneve nga Imperial College London, tha:

“Efekti i HRT-së në shëndetin e trurit gjatë menopauzës vazhdon të jetë temë debati, dhe studimet e mëparshme klinike, si Women’s Health Initiative, nuk kanë arritur t’i japin përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Në çdo rast, kjo është një çështje e rëndësishme që prek miliona gra në Mbretërinë e Bashkuar dhe meriton vëmendje të shtuar në të ardhmen.”

Michelle Dyson nga Shoqata e Alzheimerit tha se gratë përbëjnë rreth dy të tretat e personave që jetojnë me sëmundjen e Alzheimerit në Mbretërinë e Bashkuar.

“Edhe pse ende nuk e kuptojmë plotësisht pse gratë janë më të ndjeshme se burrat, mendohet se hormonet mund të luajnë një rol,” tha ajo.

“Ky studim i madh shton provat se si menopauza ndikon në tru, përfshirë ndryshime fizike si humbja e volumit të trurit. Por pa ndjekje afatgjatë të pjesëmarrëseve për të parë nëse ato zhvillojnë më vonë demencë, nuk mund të jemi të sigurt se këto ndryshime rrisin realisht rrezikun për demencë.”

Ajo shtoi se aktiviteti fizik i rregullt, mos pirja e duhanit dhe kufizimi i konsumit të alkoolit mund të ndihmojnë në uljen e rrezikut për demencë.K.C/dritare.net