Spitali amerikan që u ndërtua në oborr të shtetit!
Dritare.net
Që prej kur i janë vënë themelet, shumë dyshime janë ngritur për Spitalin ngjitur me QKUK-në, i cili është përfshirë në aktakuzë bashkë me 5 personat fizikë
Spitali Amerikan, i cili është një prej tre personave juridikë të përfshirë në aktakuzën për falsifikim dokumentesh e shpëlarje parash, ka ndërruar disa pronarë, por prej që i janë vënë themelet atë e ka përcjellë hija e dyshimeve.
Ideja për ndërtimin e spitalit privat afër QKUK-së është prezantuar në vitin 2003 nga Fatmir Dalladaku.
Problemet kishin nisur prej kur ky institucion privat shëndetësor nisi ndërtimin më 2007 me leje të Kuvendit Komunal të Prishtinës, kohë kur kryeqyteti udhëhiqej nga Ismet Beqiri i LDK-së. Leja ishte në kundërshtim me vendimin e Qeverisë të drejtuar nga Agim Çeku, me të cilin ishte ndaluar veprimtaria e institucioneve shëndetësore private në rreze prej një kilometri e gjysmë afër atyre publike.
Në qershor të 2009-s vendimi u shfuqizua nga Qeveria që drejtohej prej Hashim Thaçit të PDK-së, dhe me këtë iu hap rrugë ndërtimit dhe licencimit të këtij spitali, përkundër që ndalesa ishte normuar edhe me një udhëzim administrativ.
Një video e 2012-tës shfaq disa persona dhe Faton Dalladakun, tek i thonë se për ta vazhduar projektin duhej të jepte rreth 300 mijë euro, dhe në këtë implikuan personalitete të larta të PDK-së. Imazhet shfaqën edhe paratë tek numëroheshin nga persona, të cilët pastaj u dënuan.
Në vitin 2015 ish-ministri i Shëndetësisë nga radhët e LDK-së, Imet Rrahmani, e ndryshoi udhëzimin administrativ, duke e larguar nenin ku kërkohej distancë prej 1.5 kilometrash, dhe përfundimisht e mundësoi zhvillimin e punimeve të spitalit.
Në vitin 2017 leja për shfrytëzim të pronës komunale pati skaduar, por sipas kontratës, me pëlqimin e dy palëve komunës dhe spitalit leja mund t’i vazhdohej edhe për dhjetë vjet.
Atë vit, Komuna e Prishtinës që udhëhiqej nga Vetëvendosja, ia vazhdoi kontratën e shfrytëzimit të hapësirës edhe për dhjetë vjet të tjera spitalit.
Kontrata mbi të cilën spitali ka nisur veprimtarinë ngjitur me hapësirën e QKUK-së, e obligonte atë që për pacientët e përzgjedhur nga Komuna e Prishtinës të ofronte shërbime e të kryente operime pa pagesë. KOHA ka raportuar vitin e kaluar se si këto kushte të kontratës nuk ishin zbatuar asnjëherë./KOHA