SPAK zbulon nëse po hetohet Pandeli Majko!
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion ka deklaruar se Pandeli Majko nuk është nën hetim pas akuzave të kreut të PD-së, Sali Berisha se deputeti i Partisë Socialiste ka rënë në përgjimet e SHISH.
SPAK ka deklaruar se nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të Pandeli Majkos.
“Pas verifikimeve të kryera në Regjistrin e Kallëzimeve Penale dhe Regjistrin e Protokollit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk rezulton asnjë material kallëzues apo procedim penal në ngarkim të shtetasit Pandeli Majko”, shprehet SPAK.
Kujtojmë që deputeti socialist i ka dërguar shkresë zyrtare Shërbimit Informativ duke i kërkuar që t’i vendosin në dispozicion çdo informacion lidhur me akuzat e Sali Berishës.
“Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj”, shkruhet në shkresë.
Pandeli Majko shprehet në letrën drejtuar SHISH se si deputet ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij.
“Lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekziston një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të çdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin Tim”, shkruan ligjvënësi socialist.
Shkresa e deputeti të PS-së drejtuar SHISH
Të nderuar
Në referencë të akuzave publike të deputetit z. Sali Berisha, në konferencën e tij për shtyp të datës 06.01.2025, ndërmjet të tjerash ai pretendonte se në bazë të një informacioni të SHISH, Unë Pandeli Majko jam vënë në përgjim nga institucioni Juaj.
Me cilesinë e deputetit të Kuvendit të Shqiperisë si dhe në bazë të Ligjit nr.8550, datë 18.11.1999 “Për Statusin e Deputetit” e konkretisht të nenit 8 në të cilën thuhet se:
1. Deputeti ka të drejtë të kërkojë shpjegime për çdo çështje që ka të bëjë me përmbushjen e detyrës së tij, nga ministrat ose nga drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore, si dhe nga drejtuesit e çdo institucioni tjetër në administratën publike ose të qeverisjes vendore
2. Drejtuesit e institucioneve të përmendura në pikën 1 të këtij neni janë të detyruar t’i përgjigjen deputetit brenda 15 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës.
3. Në rast shkeljeje të pikës 2 të këtij neni, njoftohet Kryeministri për të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në rastet e enteve apo institucioneve të tjera qendrore, njoftohet organi prej të cilit ato janë zgjedhur.” lutem më vini në dispozicion, konfirmimin Tuaj nëse ekzsiton një përgjim i tillë dhe nëse po, vënien në dispozicion të saj dhe të cdo informacioni tjetër i cili ka lidhje me emrin tim./E.P-dritare.net