
SPAK dërgon për gjykim dosjen “Çopja”: 33 të pandehur për vrasje, drogë dhe korrupsion
Dritare.net
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme çështjen penale ndaj 33 të pandehurve të përfshirë në organizatan kriminale “Çopja”, të drejtuar nga vëllezërit Franc dhe Hajdar Çopja (Gergely/Bako).
Sipas SPAK, organizata “Çopja” ka qenë aktive që prej viteve 2006–2007, fillimisht në Itali dhe më pas në Shqipëri, Holandë, Belgjikë dhe Britani, ku është përfshirë në trafik ndërkombëtar droge, vrasje me pagesë dhe pastrim parash.
Akti akuzës përfshin:
Vrasje të shumëfishta dhe tentativa ekzekutimi në Elbasan, Peqin, Rrogozhinë dhe Fier, gjatë viteve 2018–2021.
Trafik ndërkombëtar të kokainës dhe përdorim të parave të drogës për pagesa për vrasje dhe investime në pasuri.
Korrupsion të gjyqtarëve dhe punonjësve të policisë për mbrojtje dhe mbyllje çështjesh.
Pastrimin e parave përmes investimeve në pasuri të paluajtshme, biznese dhe zyra këmbimi valutor në Tiranë, Durrës dhe Elbasan.
Në dosje përmenden edhe ish-gjyqtarja Pajtime Fetah, sekretarja gjyqësore Denada Tode dhe punonjësit e policisë Agustin Çinari e Martin Musaj, të akuzuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Sekuestrimet
Janë vendosur masa sekuestrimi për mbi 40 pasuri, përfshirë vila, apartamente, biznese dhe llogari bankare në disa banka.
SPAK e cilëson grupin “Çopja” si një nga rrjetet më të fuqishme kriminale të viteve të fundit, që kishte lidhje me trafikantë ndërkombëtarë dhe rrjete korrupsioni në institucione shtetërore./L.F-dritare.net

















