Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Spahiu: 26 fustane janë krim, por 26 të vrarë në Gërdec s’mund t'i quani aksident!

Spahiu: 26 fustane janë krim, por 26 të vrarë në Gërdec

Juristi Kreshnik mendon se dy forcat e mëdha politike bëjnë lojë politike, sepse pas gjithë akuzave dhe sherreve, ulen dhe për 30 minuta bëjnë dhe votojnë 10 marrëveshje.

Kurse strategjinë që ndjekin ndaj drejtësisë është e ndryshme, ku njëri përdor kërbaçin dhe tjetri kulaçin.

Ai kujtoi edhe ndjekjen e dy standardeve nga trajtimi i çështjes së Erjon Veliajt, duke kujtuar se publikohen në media pjesë nga dosja apo edhe mesazhet që Ajola Xoxe i ka dërguar punonjëses, por nuk janë publikuar mesazhet e 21 Janarit apo të Gërdecit, ku u vranë 30 njerëz.

“Qasja ime për këtë çështje është se qoftë ata që thonë do e shkrijmë apo ata që thonë se ne e krijuam, të dy duan ta kenë nën kontroll. Pra drejtësinë të dyja e duan nën kontroll dhe kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Mënyra është e ndryshme, njëri përdor kërbaçin dhe tjetri, Rama, përdor karrotën, mbështetjen, financimet etj. Po ta shohësh nga opozita ka zero të dënuar apo arrestuar, kurse nga krahu tjetër shumë, edhe ka llogjikë se kanë 12 vite në pushtet. Por ndoshta ky tjetri po mendon a ta përdor edhe unë kërbaçin?”, thotë Spahiu.

Për të e gjitha kjo është një lojë politike mes dy partive të mëdha, që pasi akuzohen mes tyre dhe zihen, në mbrëmje përfundojnë në marrëveshje, sikurse ditën e sotme.

“E gjithë lufta është mashtrim, lufta politike është lojë. Shikoni lajmet, 10 marrëveshje për 30 minuta sot. Shikojini vendimet, e nisin luftën që në mëngjes, jo akuzat, jo do ju shkrijmë dhe në mbrëmje bëjnë marrëveshjet. Është normale që retorika politike të ndryshojë në prag të zgjedhjeve. Unë kam qenë dhe mbetem në mbështetje të reformës. Është e vështirë të vendoset standardi”, vijon ai.

Dhe në fund vë në dukje standardin mediatik për çështjen e Erion Veliajt, duke iu referuar një lajmi për zbardhjen e mesazheve të Ajola Xoxës ndaj punonjëses së saj, duke nënvizuar analogjinë me 21 Janarin apo Gërdecin.

“Shikoj se po publikohen mesazhet e Ajolës për punonjësen që të mos veprojë pa informuar atë, po pse s’na tregojnë këta neve 21 Janarin, mesazhet, mesazhet e Gërdecit, 26 të vrarë atje. Dakord 26 fustane qindra mijëra euro janë krim, po këto jetët këtu, pse nuk reagojnë. 26 jetët në Gërdec nuk janë aksident. Se na fyejnë edhe inteligjencën me këto”, vijon juristi.

Kurse në lidhje me rastin e deputetes Klotida Bushka, kryetare e Komisionit Parlamentar të Ligjeve, juristi ngriti dyshimin e ndjekjes së dy standardeve, në krahasim me Avokatin e Popullit.

“Për rastin ka shumë dyshime. Pse Avokatja e Popullit nuk është vënë nën hetim. Ajo la zyrën, ka ndodhur në zyrën e Avokatit të Popullit. Kjo kryetare e Komisionit u mor nën hetim dhe ajo jo. Pra vijmë përsëri te çështja e standardit. A ka histori të personave të tjerë politikë apo zyrtarë. Pse për dy zyrtarë mbahet qëndrim i ndryshëm? Pa e mbrojtur deputeten, nëse është ashtu siç thotë SPAK duhet hetuar patjetër”, thotë Spahiu për ReportTV /E.P-dritare.net