
Sot pritet të zhvillohet në GJKKO seanca e radhës paraprake për dosjen e Ilir Metës, Monika Kryemadhit dhe tre të tjerëve. Gjyqtarja Irena Gjoka do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim apo jo.
Seanca e kaluar u shty për shkak të mungesës së avokatit të Kryemadhit. Gjatë seancës, gjyqtarja Gjoka vendosi gjithashtu pezullimin e afateve të paraburgimit për ish-presidentin. Mbrojtësi ligjor i Metës e akuzoi gjyqtaren se është nën presion nga prokurorët e SPAK, se po hetohet për akuza të ngritura më herët nga Sali Berisha lidhur me një dënim të fshehur për falsifikim dokumentesh në Greqi.
Një tjetër përplasjeje ishte njoftimi i prokurorëve të SPAK për një provë të re, një letërporosi e ardhur nga SHBA që lidhet me pagesa në çështjen e lobimit. Avokati Kujtim Cakrani e cilësoi veprimin e organit të akuzës si shkelje të ligjit, pasi sipas tij hetimet janë mbyllur dhe nuk mund të paraqiten prova të reja. Edhe Meta reagoi nga burgu duke e quajtur një gënjeshtër të SPAK lajmin se ka prova të reja.
SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Pirro Xhixho akuzohet për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë të kryer në bashkëpunim ndërsa Fatime Kryemadhi akuzohet për pastrim parash, së bashku me Ema Çokun. Meta ndodhet në burg që prej tetorit 2024, ndërsa Kryemadhi me detyrim paraqitje.