
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot një seancë plenare me një rend dite të ngarkuar, ku përfshihet raportimi i veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024 dhe shqyrtimi i procedurave për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit.
Procesi për zgjedhjen e Avokatit të Popullit është aktualisht në ngërç, pasi Partia Demokratike njoftoi tërheqjen e firmave të deputetëve të saj, duke argumentuar se nënshkrimet ishin dhënë para verifikimit të 7 kandidatëve nga Komisioni i Ligjeve.
Në rend dite janë përfshirë edhe disa projektligje për ratifikime ndërkombëtare, si marrëveshjet me Bankën Europiane të Investimeve dhe BERZH për projektet hekurudhore dhe energjinë, si edhe nisma të tjera që prekin sektorin minerar, shërbimet biocide dhe procesin e integrimit europian.
Po ashtu, Kuvendi pritet të shqyrtojë projektvendimin për zgjedhjen e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Sipas informacioneve jozyrtare, mazhoranca ka vendosur të mbështesë kandidaturën e Lefterie Lleshit, ish-kryetare e KQZ-së dhe aktualisht drejtuese në Parlament.
Seanca përfshin gjithashtu emërimin e një anëtari të ri në Bordin e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe ngritjen e një nënkomisioni të posaçëm për auditimin e sektorit publik.
