Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot 81 vite nga vrasja e Heroit të Popullit, Asim Zeneli!

Sot 81 vite nga vrasja e Heroit të Popullit, Asim Zeneli!

Sot kujtohet 81 vjetori i vdekjes së Heroit të Popullit, Asim Zeneli, i cili u vra më 2 korrik 1943. Asim Zeneli lindi më 3 maj të vitit 1916 në Progonat të krahinës së Kurveleshit, në një familje me tradita atdhetare. I ati, Zenel Mehmeti ishte ndër atdhetarët e shquar të krahinës.

Si anëtar i klubit patriotik “Arbëria” ai punoi për çështjen e shkollës dhe gjuhës shqipe. Asim Zeneli mbaroi shkollën fillore në fshat, ndërsa vështirësitë ekonomike e detyruan që të bënte punë të ndryshme që në moshë të re. Më 1930 mundi të fillojë mësimet në shkollën e mesme ushtarake në Tiranë. Më 1933 ajo shkollë u mbyll por revolta e studentëve e detyroi qeverinë që t’i dërgoje në gjimnazin civil të Tiranës.

Si student në kryeqytet, Asim Zeneli, u njoh me militantë të tjerë atdhetare si Qemal Stafa, Mustafa Matohiti, etj. Në vitin 1936 ai fitoi konkursin për të vazhduar shkollën ushtarake në Itali. Atje ai pa pasojat e regjimit fashist dhe rrezikun e pushtimit të Shqipërisë nga një forcë fashiste apo naziste. Bashkë me miqtë e tij të shkollës Pano Xhamballo dhe Dino Kalenjën ai protestoi kundër pushtimit fashist të Shqipërisë, organizoi një demonstratë antifashiste në shkollë dhe për këtë u arrestua në vitin 1939. Ai u kthye në Atdhe nga fundi i vitit 1941. Bëri një punë të madhe, veçanërisht në radhët e ushtrisë së vjetër shqiptare për dezertimin dhe shthurjen e radhëve të saj. Hyri në radhët e Ushtrisë Nacional çlirimtare Shqiptare në prill 1943, u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe u pranua anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare dhe u caktua komisar politik i çetës "Hajredin Tremishti".

Puna e tij i shkaktoi dëme të rënda pushtuesit dhe për këtë u vu në shënjestër të qarqeve pushtuese. Ai nuk u frikësua, por vazhdoi luftën e tij derisa më 1943 në Mezhgoran në një përleshje me nazistët ra dëshmor i kombit.

Asim Zeneli u vra duke luftuar kundër forcave të shumta fashiste në grykën e Mezhgoranit. Busti i heroit është vendosur në qytetin e Tepelenës. Emrin e tij e mban edhe shkolla në fshatin Asim Zenel./M.K-dritare.net