
Skema e Arben Ahmetajt dëmtoi bujqësinë, Braçe merr me vete edhe opozitën për të ndryshuar rimbursimin e TVSH-së
Dritare.net
Komisioni i Ekonomisë miratoi pa asnjë votë kundër projektligjin e deputetit Erion Braçe, për të ndryshuar skemën e TVSH-së në bujqësi.
Deputeti Erion Braçe kërkon shfuqizimin e skemës së vitit 2018, të propozuar nga ish ministri në arrati Arben Ahmetaj, për shkak se ka dëmtuar sektorin e bujqësisë, blegtorisë, pyjeve e peshkimit.
Aktualisht sot një grumbullues kur blen produktin tek fermeri rimburisimin e TVSH-së e ka 0%, ndërsa kur e blen në import rimbursohen 20%.
Kjo skemë thotë Braçe ka dëmtuar sektorin, ka favorizuar produktet e importit të të gjitha grupeve ushqimore dhe ka shtuar informalitetin.
“Është skemë subvencionimi, por kur ajo është 0% s’ka kuptim, se nuk është subvencionim. Nuk prek as kodin zgjedhor, pasi nuk është favorizim. Synojmë të kthejmë në normalitet skemën e TVSH-së. Aplikohet me 0% TVSH në blerje nga bujku apo blegtori, dhe detyrohet të shesë me 20%, praktikisht nuk keni më tatim mbi vlerën e shtuar por tatim mbi qarkullimin. Kjo ka sjellë pasojë shumë të rënë në prodhimin vendas, ka favorizuar importin dhe produktet që vijnë nga importi dhe do vendosim barazi në prodhimin vendas. Do të aplikohet përmes një autofature dhe kur të llogaritet TVSH-ja do të bëhet siç ndodh në gjithë tregun, TVSH në shitje minus TVSH në blerje dhe mbetet TVSH-ja e pagueshme. Kjo nismë sjellë formalizim, pasi sot që flasim nuk ka asnjë faturë”, tha Braçe gjatë prezantimit të projektligjit në komisionin e ekonomisë.
Nisma është mbështetur nga të gjithë deputetët në komision.
“Politika e ndjekur prej 2018-ës ka sjellë ulje të numrit të bagëtive, dhe të prodhimit blegtoral, dhe njëkohësisht ka shtuar emigracionin e bujqve e blegtorëve. Kjo skemë ka fuqizuar importin për të gjitha produktet”, tha deputetja e PD Emilia Koliqi.
“Kjo skemë do të sjellë konkurrencë të ndershme dhe ulje të çmimeve për konsumatorët shqiptare”, u shpreh edhe deputeti socialist Alban Xhelili.
Edhe Ministria e Bujqësisë është gati të ngrihet grupi i punës për ta parë skemën dhe për ta ndryshuar.
“Ministria e Bujqësisë është në parim dakord për çdo nismë që ndikon pozitivisht tek fermerët tanë. Edhe në 2018 kemi qenë që kjo TVSH të mos ndryshojë, dhe jemi gati që me MF, të bashkëpunojë dhe ta ndihmojmë Ministrinë e Financave ta ndryshojë këtë Tatim. Do të ulemi në grupet teknike për të përgatitur aktet nënligjore”, u shpreh zëvendësministri i Bujqësisë Arian Jaupllari.
Edhe pse Komisioni i Ekonomisë u shpreh pro nismës duhet edhe opinioni i Ministrisë së Financave për këtë projektligji.
“Ministria e Financave vijon të mbajë të njëjtin qëndrim që nga thyerja e bërë në nëntor të 2018-ës, dhe nuk e ndryshojnë skemën dhe kurrë nuk e kanë mbajtur fjalën pasi kanë marrë angazhime për ta rishikuar skemën”, tha Braçe./K.C/dritare.net

















