Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Situata kritike me zjarret në vend. Ministria e Mbrojtjes: Ja qarqet më të rrezikuara!

Situata kritike me zjarret në vend. Ministria e Mbrojtjes: Ja qarqet

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile njoftojnë për situatën e zjarreve në vend. Gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 38 vatra zjarri, prej të cilave 14 vazhdojnë të jenë aktive në disa qarqe. Forcat zjarrfikëse dhe Forcat e Armatosura po punojnë intensivisht për shuarjen e flakëve, ndërsa banorët në zonat e prekura janë evakuuar për sigurinë e tyre.

Njoftimi i Ministrisë së Mbrojtjes
"Situata e zjarreve në rang vendi! Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 38 vatra zjarri, nga të cilat 14 janë aktive.

Aktualisht vatrat aktive janë në:
* Qarku Vlorë. Në bashkinë Finiq, zjarri ka kaluar në fshatin Krane, njësia administrative Mesopotam. Në terren kanë operuar: 37 efektivë me 6 automjete zjarrfikëse të bashkive Finiq, Sarandë, Konispol dhe Delvinë, 20 forca policore, 30 forca bashkiake dhe vullnetare, të ndihmuar nga Forcat e Armatosura me 28 efektivë, 4 automjete zjarrfikëse, 1 autoambulancë, 1 autobot, 60 forca ushtarake dhe mbështetje nga ajri. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair. Gjatë ditës është riaktivizuar vatra e zjarrit brenda fshatit Krongj. Është bërë evakuimi i banorëve. Në vendngjarje ndodhen 2 automjete zjarrfikëse të MZSH, 1 autoambulancë dhe mjete transporti. Në ndihmë kanë shkuar dhe 2 automjete zjarrfikëse të FA. Gjatë gjithë natës vatra aktive më problematike ishte ajo në fshatin Leshnicë e Poshtme. Në terren kanë operuar 3 mjete zjarrfikëse me 8 efektivë të MZSH Finiq dhe Konispol të ndihmuar nga FA me 2 mjete zjarrfikëse dhe 15 forca të FA si dhe 1 grup FNSH.

* Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, njësia administrative Vergo, mbi tunelin e Skërficës. Për shkak të terrenit të thyer është e vështirë ndërhyrja, por në vendngjarje kanë shkuar punonjësit e AdZM.

Situata kritike me zjarret në vend. Ministria e Mbrojtjes: Ja qarqet

* Në fshatin Bolenë, njësia administrative Horë-Vranisht, bashkia Himarë. Gjatë natës kanë monitoruar 1 automjet zjarrfikës me 3 efektiv MZSH si dhe 3 forca të pyjores. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 20 forca të FA.

* Në fshatin Lukovë, njësia administrative Lukovë, bashkia Himarë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Në terren po punojnë efektivët e MZSH Himarë, Sarandë me 3 automjete zjarrfikëse dhe 11 efektivë, për shuarjen e tij. Gjithashtu ka operuar edhe avioni Kroat Canadair. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të ndihmuar dhe nga 1 mjet zjarrfikës me 3 efektivë të MZSH, Fier.

* Qarku Lezhë. Në fshatin Malaj i Epërm, në lagjen "Vjollcë", njësia administrative Rrëshen, bashkia Mirditë, ku zjarri është izoluar në sipërfaqe pyjore me pisha, lis dhe shkurre. Vatra e zjarrit është nën kontroll të plotë, por forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

* Qarku Dibër. Malin e Allushit, në afërsitë fshatit Plani Bardhë, bashkia Klos, vatra e zjarrit është nën kontroll dhe po monitorohet nga 6 efektivë të MZSH dhe 1 automjet zjarrfikës.

* Qarku Berat. Në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Zjarri ka kaluar mbi ujësjellësin, pranë një grupi banesash dhe pranë qytetit tek Azili i të Moshuarve. Në terren kanë operuar forcat e MZSH të bashkisë Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec me 7 automjete zjarrfikëse dhe 25 efektivë, të ndihmuar nga 60 efektivë të FA e mbështetje nga ajri. Vazhdon puna me intensitet nga forca operacionale për vënien nën kontroll të tij. Janë bërë evakuime të banorëve.

Situata kritike me zjarret në vend. Ministria e Mbrojtjes: Ja qarqet

* Qarku Tiranë. Në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, njësia administrative Bërzhitë, bashkia Tiranë. Zjarri është përhapur në një sipërfaqe prej 5 Ha në zonë me shkurre dhe ferra. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Në fshatin Ballaj dhe Zhabjak, njësia administrative Kryevidh, bashkia Rrogozhinë. Zjarri mori përmasa duke rrezikuar banesat e fshatit Ballaj, por pas një pune të palodhur të forcave zjarri është vënë nën kontroll, ndihmuar edhe nga një helikopter i FA dhe 50 efektivë. Janë shpëtuar mbi 50 banesa, ku në 6 prej të cilave zjarri arriti deri në oborr, por fatmirësisht pa shkaktuar asnjë dëm. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për eliminimin e plotë të vatrës.

* Në fshatin Okshtun, njësia administrative Lekaj, bashkia Rrogozhinë. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit.
* Në fshatin Peqinaj, njësia administrative Synej, bashkia Kavajë, Si pasojë është përshkuar rreth 10 ha sipërfaqe. Ditën e sotme forcat operacionale po vijojnë të punojnë për shuarjen e zjarrit.

* Qarku Durrës. Në malin e Krujës, sipër fabrikës së çimentos, bashkia Krujë, ka rënë zjarr në sipërfaqe me pyll pishe. Në terren janë angazhuar 15 forca operacionale, të cilët kanë bërë të mundur izolimin e tij. Intensiteti i zjarrit është ulur. Ditën e sotme forcat operacionale po e mbajnë në monitorim.

* Qarku Gjirokastër. Në fshatin Turan, njësia administrative Qendër Tepelenë, bashkia Tepelenë, ku vatra është izoluar, por po vijon monitorimi.

* Qarku Elbasan. Në fshatin Mukaj, njësia administrative Kukur, bashkia Gramsh, situata ka qenë problematike për shkak të erës, duke rrezikuar edhe banesat. Ditën e sotme forcat operacionale po punojnë për shuarjen e zjarrit, të mbështetur dhe 8 efektivë dhe 12 forca te bashkisë Gramsh.

* Në vendin e quajtur tek “Uzina”, bashkia Cërrik. Aktualisht zjarri është izoluar dhe vijon puna për fikjen e plotë të vatrës se zjarrit.
Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 68 automjete zjarrfikëse dhe 601 forca operacionale, të ndihmuar nga FA me 183 forca ushtarake, 3 automjete zjarrfikëse dhe 3 helikopterë të FA. Gjithashtu morën pjesë edhe 2 avionë Canadair nga Kroacia dhe Italia. Një prej avionëve Canadair nga Kroacia ka ndërhyrë prej orëve të para në Synej të Rrogozhinës.
Në dispozicion sot janë edhe dy helikopterët Black Hawk të Forcës Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Helikopterët e Forcës Ajrore çeke dhe asaj sllovake kanë operuar sot nga Baza e Kuçovës drejt Gramshit.

Nga parashikimet e IGJEO, sot nuk priten reshje.
Sa i përket zjarreve, pritet nivel rreziku I “LARTË” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “SHUMË I LARTË” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (Jug), qarku Lezhë (Veri), qarku Elbasan (Perëndim).

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 42 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar në këto ditë të nxehta dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore.", thuhet në njoftimin e Ministrisë sl Mbrojtjes dhe Agjencisë së Mbrojtjes Civile./K.C/dritare.net