Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si po kripëzohen tokat bujqësore në Shqipëri!

Si po kripëzohen tokat bujqësore në Shqipëri!

Në rubrikën “Komenti i Ditës” nga gazetari Dritan Hila foli për një nga temat më shqetësuese të momentit, jo vetëm në vendin tonë por në gjithë planetin. Prishja e ekuilibrav të natyrës po bën që të përballemi përherë e më tepër me mot të nxehtë dhe temperatura ekstreme.

Efektet shihen qartë në Itali ku thatësirat ekstreme kanë godit bujqësinë dhe të njëjtin fat mund të ketë edhe Shqipëria, tokat e së cilës mund të shkojnë drejt kripëzimit duke u kthyer në toka djerrë.

“Dikur temperatura 30 gradë konsiderohej ekstreme, kurse në kohët që jetojmë na duket e freskët. Mendohet që goditje të reja të nxehti do të vijnë në Evropë dhe do të kapin vende që dikur nuk kishin nevojë për kondicioner. Imagjinoni që në Gjermani dhe në Zvicër më parë nuk përdorej fare kondicioneri. Ne jemi në një fazë ku aktualisht rrezikohemi, sidomos Shqipëria e cila gjendet afër zonave të nxehta. Jemi një vend i cili njeh katër stinë e ky është një favor për ne. Tropiku apo vendet nordike nuk e kanë këtë fat. Fakt është që brezi i nxehtësisë sa po vjen e po ngjitet më lart. Kjo shkakton prishjen e ciklit, dezertifikimin e zonave që sot janë zona bujqësore dhe kjo vjen për shkak të kripëzimit. Me rënien e nivelit të shirave dhe nivelit të lumenjve, kemi rënien e lumenjve nëntokësorë që janë edhe më të rëndësishmit. Duke rënë prurjet e tyre, kjo bën që uji i detit të avancojë nën tokë duke shkaktuar kripëzimin e tokave, të cilat nga toka pjellore kthehen në toka të shkreta dhe më vonë në toka ranore dhe në baltovina. Kjo po ndodh në arterien e lumit Po, një degë e cila është jetike për bujqësinë italiane dhe kjo ka bërë që të rrezikohen toka që janë bazike për bujqësinë italiane. Në Puglia ka bërë që rritja e nivelit të ujit të kripur nën tokë, të bëjë që pompat që thithin ujin e ëmbël nga puset, tashmë marrin ujë të kripur. Kjo na rrezikon edhe ne pasi ultësira jonë perëndimore ka qenë kënetore. Kemi gjithashtu hapësira të mëdha që janë toka me kripë. Një pjesë janë shkripëzuar por një pjesë janë ende toka të kripëzuara ku mund të zhvillosh bujqësi. Shkripëzimi i tokave ka kosto të larta dhe këto toka në këtë moment rrezikojnë të kripëzohen”, u shpreh zoti Hila./M.K/dritare.net