Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Si mbërritëm te një milionë viktima/ Momentet kyçe të pandemisë

Si mbërritëm te një milionë viktima/ Momentet kyçe

Pandemia Covid-19 filloi vitin e kaluar në një qytet në Kinën qendrore, por që atëherë ka prekur pothuajse çdo vend në tokë. Nuk ka kursyer jetë, ndërsa ka ndryshuar shpejt jetën e të gjithëve. Dhe të paktën deri më tani, nuk ka asnjë shenjë që pandemia do të përfundojë së shpejti.

Ndërsa numri i vdekjeve i kalon një milionë, le t'i hedhim një sy momenteve më kyçe në muajt që lamë pas.

9 Janar 2020 - Raportohet viktima e parë

Janari ishte një muaj me zhvillime të mëdha. SHBA vrau një gjeneral të rëndësishëm iranian, zjarre të shfrenuara pati në Australi. Por ne nuk e dinim ende që historia po shkruhej në Kinë. Një "pneumonie misterioze virale" u përhap në Wuhan, informon dritare.net.

Më 11 janar, Kina raportoi vdekjen e saj të parë të konfirmuar nga virusi, një 61-vjeçar. Shkencëtarët kinezë e identifikuan sëmundjen një lloj koronavirusi, i cili shkakton sëmundje të ndryshme, që nga ftohja e zakonshme te ato më të rënda si Sars (sindroma e rëndë akute e frymëmarrjes).

Si mbërritëm te një milionë viktima/ Momentet kyçe

Në këtë periudhë ishte ende e paqartë se si u transmetua sëmundja. Zyrtarët shëndetësorë thanë se asnjë rast i transmetimit nga njeriu te njeriu nuk ishte konfirmuar. Në atë moment, Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se ishte në dijeni të shpërthimit, dhe se ishte në kontakt me qeverinë kineze duke vëzhguar nga afër situatën.

28 Janar 2020 - 100 vdekje

Deri në fund të muajit, numri i viktimave i kishte kaluar 100, me infeksione që rriteshin shpejt. Virusi u përhap përtej Wuhanit, si në pjesët e tjera të Kinës dhe në të paktën 16 vende të botës. Disa kombe filluan të dërgojnë aeroplanë në Wuhan për të evakuuar qytetarët. Ndërkohë, SHBA u bëri thirrje shtetasve të saj të "rishikojnë udhëtimin" në Kinë.

Wuhan dhe provinca e tij Hubei ishin tashmë në bllokim, me kufizime të rrepta transporti brenda dhe jashtë zonës. Vendosja e maskave në publik ishte e detyrueshme në disa qytete kineze. Një 50-vjeçar, i cili kishte udhëtuar në Wuhan, u bë personi i parë në Pekin që vdiq me virusin.

Zyrtarët shëndetësorë përcaktuan që virusi ishte shfaqur nga jeta e egër e tregtuar në mënyrë të paligjshme në një treg të prodhimeve të detit në Wuhan dhe thanë se mund të përhapet mes njerëzve. Autoritetet kineze thanë se virusi mund përhapet gjatë periudhës së tij të inkubacionit dhe para se shfaqjes së simptomave, duke e bërë më të vështirë identifikimin e tij.

OBSH shpall emergjencën globale më 30 Janar.

10 Shkurt 2020 - 1.000 vdekje

Vetëm dy javë më vonë numri i viktimave arriti në 1.000. Gjithnjë e më shumë vende kishin filluar të raportonin rastet e tyre të para, por shumica e vëmendjes së botës ishte ende e përqendruar në Kinë, informon dritare.net. Në atë kohë, OBSH tha se numri i rasteve të reja në Kinë ishte "stabilizuar", por paralajmëroi se ishte shumë herët për të thënë nëse virusi kishte arritur kulmin.

Deri në këtë moment virusi ishte përhapur në të paktën 27 vende por kishte vetëm dy vdekje jashtë Kinës kontinentale, në Filipine dhe Hong Kong. Ndërkohë, në fund të shkurtit, qindra pasagjerë kishin rezultuar pozitivë për virusin në anijen e lundrimit Diamond Princess në Japoni, një nga shumë anijet e lundrimit që u bënë zona të nxehta të Covid, informon dritare.net. Një britanik që kishte qenë në bordin e anijes u bë shtetasi i parë në Mbretërinë e Bashkuar që vdiq me virusin.

Në të njëjtën kohë koronavirusit iu dha një emër zyrtar, Covid-19.

Si mbërritëm te një milionë viktima/ Momentet kyçe

9-Mars, Shqipëria konfirmon rastin e parë me Covid-19.

20 Mars - 10,000 vdekje

Ndërsa numri i vdekjeve nga virusi në të gjithë botën kaloi 10,000, situata në Evropë, ishte shqetësuese. Kontinenti në atë kohë kishte rreth gjysmën e vdekjeve në të gjithë botën. Numri i të vdekurve në Itali - vendi më i prekur në atë kohë për sa i përket viktimave - arriti në një total prej 4,032. Një bllokim mbarëkombëtar u vendos në Itali në fillim të muajit.

Ndërkohë, Kina nuk raportoi raste të reja të brendshme për të dytën ditë radhazi.

Numri i rasteve të konfirmuara në të gjithë botën ishte rreth 250,000 me më shumë se 80,000 njerëz që thuhet se ishin shëruar.

Më 19 mars kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se ai besonte se Anglia mund të "kthente rrjedhën" kundër shpërthimit brenda 12 javëve të ardhshme. Një bllokim mbarëkombëtar u vendos në 24 mars, kur numri i të vdekurve në Mbretërinë e Bashkuar kishte arritur në 335, informon dritare.net.

9 Prill - 100,000 vdekje

Presidenti Donald Trump paralajmëroi se SHBA mund të shihte deri në 100,000 viktima, por mohoi se administrata e tij kishte vepruar shumë ngadalë. Nga fundi i shtatorit, parashikohej që numri i të vdekurve në SHBA do të ishte më shumë se 200,000. Ndërkohë, Evropa u përgatit të kalonte fundjavën e Pashkëve nën bllokim.

Boris Johnson, i cili doli pozitiv me kovid, doli nga kujdesi intensiv më 9 Prill. Numri i vdekjeve në Angli kishte arritur në gati 9,000, me më shumë se 70,000 raste të konfirmuara, me Londrën që ishte epiqendra e pandemisë.

Në atë pikë, gjysma e rasteve të botës ishin regjistruar në SHBA dhe Evropë, por Covid-19 po rritet me shpejtësi në kudo. Virusi po prekte edhe Azinë e Jugut dhe Afrikën. OBSH paralajmëroi se më e keqja nuk kishte ardhur ende dhe u kërkoi qeverive të zbatojnë politikat e duhura.

Si mbërritëm te një milionë viktima/ Momentet kyçe

28 Shtator - Një milionë vdekje

Të hënën, bota arriti në një milion vdekje të regjistruara nga Covid-19. SHBA, Brazili dhe India janë më të prekurat. Sidoqoftë, numri i të vdekurve mendohet të jetë shumë më i lartë pasi shumë raste mund të mos jenë raportuar zyrtarisht.

Atëherë, çfarë mund të presim në të ardhmen? Ne jemi duke parë pak më shumë se 5,000 vdekje në ditë në të gjithë botën për momentin, thotë shefi i statistikave të BBC, Robert Cuffe. Nëse ky ritëm vazhdon, për gjashtë muaj mund të kemi dy milionë viktima.

Autoritetet shëndetësore kanë mësuar shumë për virusin që nga fillimi i pandemisë, por zyrtarët thonë se kjo nuk mund të ndalë virusin të marrë jetë, informon dritare.net.

"Ne nuk shohim asnjë shenjë të ngadalësimit të shkallës së vdekjes," i tha BBC Nancy Baxter, një epidemiolog./L.F-dritare.net