
Si emigrantët indianë pushtuan industrinë e hoteleve
Dritare.net
CNN
Një film i shkurtër dokumentar me titull “The Patel Motel Story”, bashkëdrejtuar dhe rrëfyer nga Amar Shah, po bën jehonë në festivalet amerikane pasi sjell një nga historitë më mahnitëse, por pak të njohura të emigracionit në SHBA: si indianët nga shteti Gujarat ndërtuan mbi 60% të moteleve dhe hoteleve në Amerikë, ndonëse përbëjnë vetëm 1% të popullsisë.
Nga turpi i fëmijërisë tek krenaria e rrënjëve
Shah, i rritur në Florida si “fëmijë pas banakut” në biznesin e prindërve me stacion karburanti, e kujtonte botën e moteleve si punë të lodhshme dhe modeste. Por me kalimin e viteve, ai nisi ta shihte ndryshe: një histori sakrifice, vendosmërie dhe suksesi.
Filmi përfshin pamje nga fëmijëria e tij — dasma, festa dhe ceremoni diplome — të gjitha zhvilluara nëpër motele që zotëroheshin nga familjet e miqve të tij indianë.
Një histori që nuk gjendet në librat e shkollës
Në dokumentar, Shah shpjegon se emri më i madh në industrinë amerikane të hoteleve nuk është Hilton apo Marriott, por “Patel”.
Kjo trashëgimi është ndërtuar nga mijëra emigrantë indianë që, përmes punës së palodhur, ngritën një rrjet me dhjetëra mijëra motele dhe miliona vende pune.
Sipas Shoqatës Amerikane të Pronarëve Aziatikë të Hoteleve (AAHOA), mbi 33,000 motele janë sot në pronësi të anëtarëve të saj me origjinë indiane.
Rrënjët e suksesit: historia e Kanji Manchhu Desai
Gjatë kërkimeve për filmin, Shah dhe bashkëregjisori Rahul Rohatgi zbuluan figurën kyçe të Kanji Manchhu Desai, një emigrant nga Gujarat që erdhi në SHBA në vitin 1934 dhe që konsiderohet “babai i moteleve Patel”.
Desai fillimisht punoi në fusha bujqësore, por gjatë Luftës së Dytë Botërore iu besua menaxhimi i një hoteli në Kaliforni, pasi pronarja japonezo-amerikane u internua.
Pas luftës, ai hapi hotelin e tij në San Francisko dhe ndihmoi dhjetëra emigrantë të tjerë, duke u dhënë strehim, këshilla dhe hua për të nisur bizneset e tyre.
Mes këshillave të tij më të famshme ishte:
“Nëse je Patel, merr me qira një hotel.”
Një trashëgimi që vazhdon për breza
Një nga familjet që përfitoi nga ndihma e Desait është ajo e Jyoti Sarolia, e cila sot drejton një kompani me tetë hotele në Kaliforni.
Ajo kujton fëmijërinë në motele si një përzierje pune dhe loje:
“Në moshën 9 vjeçare përgjigjesha në telefon, në 11 ndihmoja me shtretërit, në 14 mund të drejtoja vetë një hotel.”
Sot, katër breza të familjes së saj janë përfshirë në këtë industri.
Një histori amerikane që meriton të tregohet
“The Patel Motel Story” është më shumë se një dokumentar — është një homazh për gjeneratën e emigrantëve që e ndryshuan industrinë e mikpritjes në SHBA.
Filmi po shfaqet në festivale në Orlando, Seattle, San Francisko dhe New Orleans, ndërsa Shah dhe ekipi i tij po mendojnë ta zgjerojnë projektin në një seri dokumentarësh ose film artistik.
“Prindërit tanë po plaken, dhe duhet të kujtojmë historitë e tyre,” thotë Shah.
“Ato janë shumë më të jashtëzakonshme sesa kemi menduar ndonjëherë.”

















