Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Shqipëria për herë të parë nuk linjëzohet me BE, Rama: Deklarata nuk i përgjigjet realitetit

Shqipëria për herë të parë nuk linjëzohet me BE,

Kryeministri Edi Rama sot nga Italia tha se Shqipëria për herë të parë nuk mund të jetë në një linjë me BE për dialogun Kosovë-Serbi, pasi sipas tij, deklarata e fundit e e përfaqësuesit të lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit.

“Të paktën në 10 vitet e fundit në kundërshtim me një deklaratë të politikës së jashtme të Bashkimit Europian, ky qëndrim lidhet me faktin se deklarata e Bashkimit Europian është një deklaratë, e cila jo se në vetvete ka problem, pasi adreson gjithçka që është thënë më parë nga përfaqësuesi i lartë Joseph Borrell lidhur me detyrimet e Kosovës në raport me dialogun, por ka një problem të madh që nuk i përgjigjet realitetit të ditëve të fundit dhe ne e kemi të pamundur të linjëzohemi me Bashkimin Europian pa parë një deklaratë të dytë që adreson problematikën e ditëve të fundit, ku ka ndodhur një zhvillim dramatik pasi është vrarë një efektiv i Policisë së Republikës së Kosovës nga një grup kriminal që ka qenë qartësisht i investuar për të ushtruar terror në veriun e Kosovës, gjë që është pasuar nga shpallja e një ditë zie kombëtare në Beograd.

Kjo për ne është e papranueshme, është e pajustifikueshme madje është e dënueshme sepse është jo europiane dhe sepse njëkohësisht është sinjali më i keq që Serbia mund të jepte në këtë moment për të gjithë rajonin dhe për Europën dhe kemi kërkuar që Bashkimi Europian, i gjithë komuniteti euroatlantik të vërë alarmin në nivelin më të lartë, alarmin demokratik në nivelin më të lartë e të përdorë gjithë instrumentet në dispozicion për t’i kthyer mesazhin e duhur këtij mesazhi krejtësisht të papranueshëm që vjen nga shpallja e zisë kombëtare në Beograd dhe deri në momentin ku nuk do të ketë një deklaratë të dytë të Bashkimit Europian për të vendosur me drejtësi një gjykim për ditët e fundit, ne nuk do të linjëzohemi me deklaratën e parë.

Në momentin që del deklarata e dytë e nëse deklarata e dytë e bën këtë që ne kërkojmë, atëherë ne nuk kemi asnjë problem të linjëzohemi me deklaratën e parë sepse pavarësisht se çfarë bën Serbia, gjë me të cilën ne kemi punë me Serbinë, ne nuk i heqim asnjë presje të gjitha kërkesave të Bashkimit Europian e të komunitetit euroatlantik për Kosovën dhe në këtë pikë linja jonë është 100% linja e Bashkimit Europian dhe e komunitetit euroatlantik, por ama e përsëris, ky është momenti për të dënuar me zë të lartë atë që ka ndodhur në veriun e Kosovës dhe atë që pastaj ka pasuar në Beograd me shpalljen e një ditë zie kombëtare që heroizon angazhimin e një grupi kriminal për të ushtruar terror në veriun e Kosovës”, u shpreh Rama sot nga Italia./L.F-dritare.net